Tre shqiptarët habitën Mykonos/ U grabitën natën, hajdutët ju morën 45 mijë euro bizhuteri, emrat mister

27/07/2022 19:57

Duket se luksi i tepërt në të cilin po kalonin pushimet e tyre 3 shtetas Shqiptarë në ishullin e vipave në Mykonos, Greqi, u ka rënë në sy grabitësve, të cilët kanë mundur të grabisin prej dhomës së shtetasve shqiptarë sende me vlerë mbi 45 000 euro.

Ngjarja e pa zakontë ka tërhequr vëmendjen e mediave greke, të cilat kanë pasur në faqet e tyre lajmin lidhur me ngjarjen.

Sipas burimeve lokale, sendet e vjedhura janë orë floriri, varëse, para kesh, por edhe pasaportat dhe patentat e tyre.

Denoncimi u bë prej viktimave në rajonin policor të ishullit ndërsa viktimat janë dy motra dhe i dashuri i njërës prej tyre.

Për momentin emrat e tyre nuk bëhen publikë, por mediat greke thonë se treshja shqiptare kishte marrë me qira një suitë në një hotel luksi në në zonën  “Plindri” në Mykonos.

Por gjatë orëve të mëngjesit të datës 24 korrik ,grabitësit mundën të hynin në dhomën e hotelit duke përdorur një prerës metalik dhe në pak minuta zbrazën dhomën e turistëve shqiptarë  dhe u larguan me shpejtësi në rrugicat e zonës.

Policia nuk ka ndonjë të dyshuar për aktin, ndërsa viktimat tashmë duhet ti drejtohen drejtësisë vendase për të bërë të mundur  një kompromis me pronarët e hotelit nëse do tju jepet mbrapsht diçka prej vlerës së humbur në ambientet e hotelit.

Kjo është hera e parë që turistë shqiptarë denoncojnë vjedhje të sendeve me vlerë të madhe në ishullin e Mykonos.

Top Channel