“Politikani I.M pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit”, Nikolla informon krerët e grupeve parlamentare me dosjen

27/07/2022 11:11

Konstatimi i Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit, se një politikan i profilit të lartë politik, me inicialet I.M, ka qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit, ka vënë në lëvizje Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla,

 Mëngjesin e sotëm kryeparlamentarja Nikolla ka zhvilluar takime me krerët e grupeve parlamentare për t’I informuar mbi gjetjen e kësaj dosjeje. I pari që ka mbërritur në zyrën e saj, është kreu I grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

“Sot në orën 9:00, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla zhvilloi një takim me Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla ku u njoh me informacionin që ka ardhur në Kuvendin e Shqipërisë nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)”- u njoftua nga zyra e shtypit të socialistit Balla.

Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit tha një ditë më parë se një politikan i profilit të lartë politik, me inicialet I.M, ka qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit.

Nisur nga ky rast, Autoriteti i Dosjeve i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të ndryshojë ligjin mbi dosjet në vend, për shkak se favorizon politikanët e lartë dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët nuk ndëshkohen nga të qenit bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.

Ligji aktual parashikon që ata politikanë që kanë certifikatë të pastër sigurie nga komisionet e ngritura gjatë fundit të viteve 1990, komisionet Mezini-Bezhani, të mos ndëshkohen nga autoriteti aktual.

Në letrën dërguar Kuvendit, autoriteti kërkon gjithashtu që të korrigjohet ligji për të verifikuar edhe këta funksionarë që kanë dalë të pastër në komisionet e mëparshme.

Autoriteti thotë më tej se Kuvendit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit.

Top Channel