Irak/ Protestuesit opozitarë mësyjnë parlamentin në ‘Zonën e Gjelbër’ të Bagdadit (fotot)

27/07/2022 21:34

Mbështetësit e klerikut të fuqishëm opozitar Moktada Sadr hynë sot në parlamentin e Irakut duke kënduar e kërcyer në protestë ndaj kandidatit te qeverise për kryeministër.

Kryeministri  Mustafa al-Kadhemi u bëri thirrje protestuesve të “tërhiqen menjëherë” nga “zona e gjelbër” e fortifikuar e qytetit, ku gjenden si ndërtesat qeveritare dhe misionet e huaja diplomatike.

Grupi politik i Sadr doli nga zgjedhjet e tetorit të shkuar si fraksioni më i madh parlamentar, por ende nuk ka maxhorancën.

Ndërkohë ngërçi vijon në vend për krijimin e qeverisë së re, shkruan rrjeti francez AFP.

Policia lëshoi të shtëna me gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve të cilët gjithsesi nuk kanë përdorur dhunë madhore për të hyrë në parlament me flamurët e tyre.

Kryeminsitri Kadhemi paralajmëroi në një deklaratë se forcat e sigurisë do të sigurojnë “mbrojtjen e institucioneve shtetërore dhe të misioneve diplomatike” si dhe të parandalojnë prishjen e rendit e sigurisë.

Edhe zyrtarë pro-Sadr tentonin të bindnin turmat të largoheshin, teksa në pamje shihej të paktën një protestues i lënduar që ndihmohej të largohej.

Blloku politik i Sadr fitoi 73 vende në zgjedhjet e vitit të shkuar, duke u bërë grupi më i madh në parlamentin me 329-karrige te vendit.

Protestuesit kundërshtonin kandidaturën e Mohammed al-Sudani, ish-ministër e guvernator i partisë pro-Iran, ‘Kuadri i Bashkëpunimit’.
“Jam kundër zyrtarëve të korruptuar në pushtet, jam kundër kandidaturës së Sudani pasi është i korruptuar,” tha protestuesi 41 vjeçar Mohamed Ali.

Kriza politike në Irak nisi muajin e kaluar pas bojkotit masiv të grupit të Sadr.

Në fillim të muajit mijëra besimtarë muslimanë besnikë ndaj Sadr morën pjesë në lutjen e të premtes në Bagdad, në një shfaqje madhore mbështetjeje.

FOTO GALERI
1/7
Mbështetësit e klerikut të fuqishëm opozitar Moktada Sadr hynë sot në parlamentin e Irakut duke kënduar e kërcyer në protestë ndaj kandidatit te qeverise

Top Channel