Alkooli i kontaminuar vret të paktën 25 njerëz , lë dhjetra të helmuar në Indinë perëndimore (fotot)

26/07/2022 17:57

Të paktën 25 njerëz kanë vdekur dhe rreth 50 të tjerë janë sëmurë nga alkooli i kontaminuar me metanol, njoftonin autoritetet në Indinë perëndimore.

Vdekjet ndodhën në qytetet Ahmedabad e Botad në rajonin e Gujarat, megjithse aty prodhimi, shitja e konsumi i alkoolit është i ndaluar.

“Kishte më shumë se 90 përqind metanol në pijen e konsumuar”, tha inspektori i përgjithshëm i policisë  Bhavnagar Ashok Yadav, për rrjetin vendas The Times of India.

Autoritetet shtonin se ishte arrestuar pronari i një punishteje kimike dhe tetë bashkëpunëtorë për prodhim të dyshuar ilegal pijesh alkoolike.

Numri i viktimave mund të rritet ende teksa pacientët kanë vijuar të vijnë të helmuar në spitalin e Ahmedabad.

Provinca indiane e Gujarat province ka ndaluar konsumin e alkoolit që prej vitit 1960 në homazh të heroit të pavarësisë së Indisë Mahatma Gandhi, i vrarë në 1948, por qindra njerëz kanë vdekur gjatë dekadave prej alkoolit të prodhuar ilegalisht.

Raportimet thonë se policia bën “një sy qorr” ndaj alkoolit ilegal pasi pranon rryshfetin e prodhuesve që shesin alkoolin e kontaminuar në fshatra.

Në vitin 2019, të paktën 133 kanë vdekur pasi pinë alkool të kontaminuar në dy ngjarje të ndryshme në shtetin verilindor Assam.

Viktimat punonin kryesisht në plantacione çaji.

FOTO GALERI
1/3
Të paktën 25 njerëz kanë vdekur dhe rreth 50 të tjerë janë sëmurë nga alkooli i kontaminuar në qytetet Ahmedabad e Botad

Top Channel