“Tirana, për t’u marrë shembull”/ Kryetari i bashkisë së Tiranës takon senatorët dhe deputetët italianë

25/07/2022 14:52

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim të posaçëm një delegacion nga Italia, në përbërje të të cilit ishin senatorë dhe deputetë të parlamentit italian, të kryesuar nga Antonio Tasso.

Ata diskutuan për marrëdhënien mes dy vendeve dhe mundësitë e reja për t’i çuar më tej këto raporte.

 “Jam shumë krenar për çfarë kemi arritur, jo vetëm mes shteteve, por edhe mes qyteteve tona.  Raportet mes Italisë dhe Shqipërisë janë në nivelin më të mirë të mundshëm. Italia i ka mikpritur shqiptarët, i ka trajtuar me dashuri dhe respekt, dhe sot shqiptarët janë histori suksesi atje. Mezi pres që ta çojmë më lart këtë raport. Italia ka zgjedhje në shtator dhe mezi e presim konfigurimin e ri të qeverisë dhe të zgjedhurve të saj në dhomën e deputetëve, po ashtu edhe në senat, që t’i vazhdojmë marrëdhëniet e mira”, tha Veliaj.

Deputeti Antonio Tasso u shpreh se Tirana është një qytet, i cili duhet marrë si shembull për këdo që kërkon zhvillimin.

 “Tirana është një qytet i mrekullueshëm. Vumë re përmirësime të dukshme nga herët e tjera që kemi qenë këtu. Është një qytet i cili duhet marrë si shembull, për këdo që kërkon zhvillimin. Keni ecur përpara me shpejtësi dhe e keni bërë shumë mirë. Shpresojmë të rishihemi në të ardhmen dhe të forcojmë edhe më tej lidhjet mes vendeve dhe qyteteve tona”, tha Antonio Tasso, deputet Italian.

Tirana dhe Rajoni i Puglias do të kenë dhe një sërë aktivitetesh në kuadër të Kryeqytetit Europian të Rinisë dhe të Lojërave Mesdhetare.

Top Channel