Shkarkimi i Ahmetajt/ Berisha: Rama e bëri këtë për të larë duart me krimin e inceneratorëve

25/07/2022 12:46

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë një komunikimi me gazetarët ditën e sotme, ka komentuar ndryshimet e bëra së fundmi në qeveri, ku ish-zëvëndëskryeministri Arben Ahmetaj, u zëvendësua me ministren Belinda Balluku.

Berisha u shpreh se kjo lëvizje u bë nga kryeministri Rama për të larë duart me krimin e shëmtuar në aferën e inceneratorëve. Ai shtoi se kreu i kësaj afere sipas tij është vetë Edi Rama, i cili vetëm me inceneratorin e Tiranës ka vjedhur 283 milion euro.

Berisha: Edi Rama, për të larë duart me krimin e tij të shëmtuar, aferën ndër më të mëdhatë në historinë e vendit, aferën e djegësave, ka shkarkuar Arben Ahmetajn. Me këtë rast, unë duke e konsideruar Ahmetajn një nga eksponentët kryesorë të mafies së djegësve, shtoj se kreu i kësaj afere është një dhe vetëm një. Ky është Edvin Rama. Në aferën e inceneratorëve ai ka firmosur siç ka pohuar vetë, në kundërshtim me ligjin. Edi Rama ka firmosur në mënyrën më të paligjshme kontratën në shkelje të barazisë së ligjit për tenderat. Ai ka firmosur kontratën për një kompani me zero eksperiencë në fushën e plehrave. Edi Rama është përgjegjësi numër 1 i vjedhjes monstruoze me aferën e djegësave. Për djegësin e Elbasanit dhe Fierit, ministria e Mjedisit që u përdor për këtë vjedhje, kishte zero lekë në buxhetin e saj. Paratë e djegësave u morën nga fondi i emergjencave të Këshillit të Ministrave.  Ky fond përdoret vetëm në rastin e katastrofave natyrale dhe fatkeqësive të mëdha natyrore. Edi Rama, këtë fond, e përdori për të përvetësuar, bashkë me zyrtarët e tij, dhjetëra e dhjetëra milionë euro. Me urdhër të tij, ai kaloi nga fondi i emergjencës dhjetëra e dhjetëra miliona euro, në buxhetin e Ministrisë së Mjedisit për vjedhjet me inceneratorët. Edi Rama është përgjegjës sepse firmosi kontratën me procedurë të mbyllur, në një kohë kur enti zyrtar, Agjencia e Prokurimeve Publike, kishte denoncuar më përpara, si të paligjshme për prokurim procedurën me negociata të mbyllura. Kurrë një kryeministër, përveçse atij që vendos të vjedhë para me valixhe, nuk firmos një procedurë të tillë. Edi Rama është koka e Meduzës e kësaj afere të tmerrshme. Në rastin e inceneratorit të Tiranës, në shkelje të plotë, ai firmos bonus 8 pikë avantazh për kompaninë që u përdor për të gjitha vjedhjet. Edi Rama ka pranuar se ka firmosur në mënyrë të paligjshme, por ka mohuar se njihte Gugalen, Zoton dhe Mërtirin, në një kohë kur në ligjeratën, apologjinë që i bënte vjedhjes së tij për inceneratorin e Elbasanit, ata ishin më të rëndësishmit në sallë. Pra, ky është Edi Rama në raport me vjedhjen. Duhet të informoj qytetarët se vjedhja në inceneratorin e Tiranës shkon, sipas KLSH, në 283 milionë euro.

Kryedemokrati tha ndër të tjera se Rama e shkarkoi Ahmetajn nga posti i zëvëndëskryeministrit në mënyrë që të arratiset nga vendi e t’i shpëtojë aferës së inceneratorëve.  Ai tha se edhe nëse do të ikte pas diellit, Ahmetaj nuk do të kishte shpëtim, pasi kjo aferë për popullin opozitar është për jetë a vdekje.

Berisha: Arben Ahmetaj, në vitin 2005, është arratisur disa vite në Rumani, ku kërkonte azil. Tani ai e liron nga detyra vetëm e vetëm që ai të largohet. Me këtë rast, unë i them Edi Ramës, se edhe në ata satelitët që ke porositur, të shkojë, do bëhet përgjegjës para shqiptarëve për këtë aferë dhe aferat e tij. Rama është kryeministri më hajdut i 110 viteve të fundit në Shqipëri, kryeministri më hajdut i rajonit dhe Europës. Mund t’i bësh presion dhe t’ia mbyllësh gojën SPAK-ut të partisë, por shqiptarët dhe popullin opozitar, nuk do mundesh kurrë ta trysnish pa të dhënë vendin që meriton si një hajdut i papërmbajtur. E njëjta gjë vlen për Arben Ahmetajn, shko edhe prapa diellit. Por nuk do kesh shpëtim më. Kjo aferë për popullin opozitar është për jetë a vdekje.

Top Channel