“Pendesa” e Papës: Në Kanada për abuzimet me indigjenët!

25/07/2022 13:37

Liderët kanadezë e pranuan publikisht se një numër i madh fëmijësh indigjenë atje kanë vdekur në shkolla që nga viti 1907, por çështja u vu në qendër të vëmendjes me zbulimin vitin e kaluar të atyre që dyshohet të jenë varre të pashënuara, në ose pranë zonave të ish shkollave në fjalë.

Si përgjigje ndaj trysnisë pasojë e këtyre zbulimeve, Papa kërkoi falje për rolin e kishës katolike në shkolla në fillim të këtij viti, gjatë vizitës së një delegacioni indigjenësh në Vatikan. Tani, ai kërkon ta bëjë këtë gjë në tokën kanadeze.

Ati i shenjtë mbërriti atje të djelën për të nisur një udhëtim pesë-ditor që do të përqendrohet në kërkimin e faljes në emër të Kishës Katolike për abuzimin me fëmijët indigjenë, në shkollat e drejtuara kryesisht nga kisha.

Duke filluar nga vitet 1880 deri në vitin 1996, më shumë se 150,000 fëmijë, nga qindra komunitete indigjene në të gjithë Kanadanë, u morën me forcë nga prindërit e tyre dhe u dërguan në shkolla ku u sigurohej fjetja e qëndrimi.

Shumë fëmijë humbën jetën nga uria, u rrahën dhe u abuzuan seksualisht, një gjë që Komisioni kanadez mbi të Vërtetën dhe Pajtimin e ka cilësuar si “genocid kulturor”. “Ky është një udhëtim pendimi, e nën këtë frymë do të zhvillohet“, u shpreh papa para nisjes nga Roma. Për kanadezët, prania e tij mund të ndihmojë të shërohen këto plagë të së shkuarës.

“Lutem që gjërat të shkojnë mirë dhe të arrihet ky proces shërimi me ardhjen e Papës. Vetë fakti që është këtu flet shumë. Ndoshta do të jetë një gjë e madhe për të gjithë njerëzit tanë.”- tha Eden Fuentes, banor i Edmontonit

Por për të mbijetuarit dhe udhëheqësit indigjenë, pendesa nuk mjafton. Shumë prej tyre. Një pjesë e tyre kanë bërë thirrje për kompensim financiar, kthimin e objekteve indigjene, nxjerrjen e të dhënave të shkollave, mbështetje për ekstradimin e abuzuesve të akuzuar dhe shfuqizimin e një doktrine të shekullit të 15-të që justifikon shpronësimin e popullatës indigjene.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA