Moska ka ngritur sot akuza ndaj 92 anëtarëve të forcave të armatosura të Ukrainës për krime kundër njerëzimit.
Rrjeti britanik BBC shkruan se kreu i komitetit të hetimit Alexander Bastrykin tha për rrjetin qeveritar Rossiiskaya Gazeta, se kanë nisur më shumë se 1,300 hetime kriminale.
Ai ka propozuar gjithashtu ngritjen e një gjykate të mbështetur nga vende aleate të Rusisë si Irani, Siria e Bolivia.
Edhe Ukraina thotë se po kryen hetimet e saj për krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit.
Përveç 92 të akuzuarve nga Rusia, janë të kërkuar rreth 96 njerëz, 51 prej të cilëve anëtarë të forcave të armatosura, shtoi Bastrykin.
BBC tha se nuk ishte e aftë të verifikonte pretendimet e bëra në intervistë dhe se Kievi nuk ka komentuar.
Këtë muaj Ukraina ka thënë se po heton 21 000 episode të dyshuara si krime lufte dhe krime agresioni, të kryera nga forcat ruse që prej nisjes së pushtimit në shkurt.
Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë e ka përshkruar Ukrainën si “skenë krimi”, dhe ka dërguar atje grupe hetuesish e mjekësh ligjorë.
Kremlini mohon krimet e luftës apo goditjet ndaj civilëve në Ukrainë, dhe rregullisht fajëson Ukrainën që godet me artileri infrastrukturën e vet dhe vret civilët e saj.
Akuzat janë hedhur poshtë nga liderët ndërkombëtarë.
I pyetur nëse do të ketë një gjyq të mbështetur nga OKB, Bastrykin akuzonte Perëndimin se po sponsorizon hapur nacionalizmin ukrainas dhe shtoi se gjyqi nuk ka shumë gjasa të ndodhë.
Moska përsërit pretendimin se Ukrainë drejtohet nga neo-Nazistë dhe këtë e përdor si justifikim për atë që quan “operacion special ushtarak”.
Top Channel