“Ahmetaj u shkarkua për inceneratorët”/ Kreu i PD: Firmosi kalimin e fondit të emergjencës, 55 milionë euro, për inceneratorët

25/07/2022 15:05

Ndryshimet ne kabinetin qeveritar  janë të pamjaftueshme për Sali Berishën i cili i kërkoi vënien para drejtësisë së Arben Ahmetaj dhe shefit të tij  politik  për aferën e inceneratorëve.

Edi Rama është përgjegjësi numër 1 i vjedhjes monstruoze me aferën e djegësve. Mund të bësh presion e t’i mbyllësh gojën SPAK-ut të partisë, por shqiptarët dhe popullin opozitar nuk do mundësh kurrë ta trysnish pa të dhënë ty vendin që ti meriton si një hajdut i papërmbajtshëm.  E njëjta gjë vlen për Arben Ahmetaj. Shko ku të duash dhe prapa diellit, shpëtove njëherë nuk ke ku të shkosh më. Kjo aferë për popullin opozitar është një betejë për jetë a vdekje”, tha Berisha.

Berisha  renditi lidhjet  dhe implikimin që sipas tij ka zëvendës kryeministri i shkarkuar me kompanitë e inceneratorëve. Sipas tij Ahmetaj u  largua nga  kabineti  për të shpëtuar kryeministrin Rama.

Pse Arben Ahmetaj është strumbullari? Ekipi i kësaj megavjedhje ka pasur tre ushtarë: Zoton, Gugalen dhe Mërtirin. Arben Ahmetaj, i pyetur në komisionin parlamentar, paraqiti traumën e tij, por nuk pohoi njohjen me Mërtirin. Unë u them shqiptarëve se ai ka qenë menaxher i kompanisë Hermes, me të cilën Arben Ahmetaj ka vjedhur miliarda impulse, që kapin vlerën e 13 milionë eurove. Arben Ahmetaj pësoi një aksident kur ishte i shoqëruar në Maqedoni me këta mafiozë.  Arben Ahmetaj është njeriu që ka firmosur shndërrimin e fondit të emergjencës në fondin për djegësit, jo pak por 55 milionë euro. Ai vërtet nuk ka firmosur në kontratën e djegësit të Tiranës, por ka firmosur në kontratën e projektit të djegësit të Tiranës. Ai u shkarkua vetëm me një qëllim: të shpëtojë lëkurën e Edi Ramës”, tha Berisha.

Për çështjen e inceneratorëve nisi edhe një hetim parlamentar me kërkesë të PD dhe një nga dëshmitë kryesore ishte ajo e ish zv kryeministrit Ahmetaj, por edhe e ishin deputetit socialist alqi Bllako i cili më pas u arrestua.

Në burg ndodhet në pritje të gjykimit për abuzime me inceneratorët edhe ish ministri Lefter Koka i paditur nga LSI. SPAK ka ende një hetim të hapur për inceneratorët por prokurorët ende nuk e ka thirrur ish zëvendëskryeministrin Ahmetaj.

Top Channel