Veliaj në Njësinë 13: Me çeljen e negociatave realizuam një ëndërr! Koha që PS të krahasohet me partitë drejtuese në BE, jo me partinë e Saliut

24/07/2022 18:22

Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se çelja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian do të sjellë ndryshime në klasën politike shqiptare. Nga Asambleja Socialiste e Njësisë 13, kryebashkiaku i Tiranës tha se Partia Socialiste duhet të krahasohet me partitë simotra të vendeve BE-së dhe jo me partinë e Saliut.

“Ne duhet të jemi partia e 2023-shit. Tani që hapëm zyrtarisht negociatat me BE-në nuk krahasohemi me partinë e Saliut, as me varetë e shkopat e bejsbollit, por do të krahasohemi me partitë simotra që drejtojnë vendet e BE-së”, theksoi Veliaj.

Ai shprehu besimin se Shqipëria do të arrijë të plotësojë të gjitha detyrat për të avancuar në rrugëtimin e saj evropian. “Ka qenë një javë e jashtëzakonshme, ku brenda një jave, në Shqipërinë tone, kanë ndodhur gjëra që i kemi ëndërruar prej vitesh. Sapo kemi hapur zyrtarisht negociatat për të qenë anëtarë të Bashkimit Europian. Një ëndërr e atyre që nuk panë demokraci, po bëhet realitet. Do të jetë gjenerata jonë ajo që do ta provojë, do të shohim se sib ëhet realitet një nga aspiratat më të forta të kombit tonë”, nënvizoi Veliaj.

Kryetari i PS për Tiranën u shpreh se nën qeverisjes socialiste, Shqipëria po zë një vend të rëndësishëm edhe në arenën ndërkombëtare. “Në qershor, Shqipëria ishte jo vetëm anëtare e Këshillit të Sigurimit, por ne kishim Presidencën e Këshillit të Sigurimit. Më në fund, njerëzit e shikojnë Shqipërinë jo si një vend i vogël me 2.8 milionë banorë, por si një vend që grushton edhe mbi peshën e vet. Mund të ketë popullsi modeste, ekonomi modeste, por një vend që drejtohet, siç drejton Edi Shqipërinë, siç drejtojnë shumë prej nesh ato vende ku jemi thirrur që të shërbejmë, mund të grushtojë, mund të ngrejë pesha më të larta se pesha vet. Sot jemi në këtë situatë, ku shumë prej gjërave që na dukeshin të pamundura, janë bërë realitet”, shtoi më tej ai.

Në fjalën e tij, Veliaj u ndal edhe tek drafti i qeverisë për “amnistinë fiskale”. “S’mund të jetë beteja për amnistinë fiskale vetëm e kryeministrit dhe e Ministrisë së Financave. Më thoni një nga ju këtu, që s’ka një të afërm jashtë, që ka filluar jetën në emigrim duke bërë punët më të vështira!? Për sa kohë që secili prej nesh ka lidhje me një histori të tillë, s’kemi nevojë të kemi mbaruar Ekonomi -Financë për të bërë fare mirë avokatin e qeverisë”, tha ai.

Duke prekur situatën e ndërtimeve pa leje në zonën e Liqenit të Thatë, Veliaj theksoi se ashtu siç u çlirua Parku i Madh i Liqenit me prishjen e 98 ndërtimeve pa leje, ashtu do të çlirohet edhe Liqeni i Thatë nga dy çibanët e fundit. “Dëgjova për histerinë e fundit, çfarë po ndodh te Liqeni i thatë? Njëri ka bërë një gardhim sepse ka një pretendim për pronën. Ne jemi në gjyq me të. Zotëria kë një pretendim të pronës, siç ka edhe një tjetër, që e ka bërë si Venecian brenda në Liqen të Thatë. Edhe me atë jemi në gjyq që ta shpronësojmë, se nuk mund të ketë shtëpi veneciane brenda në liqen, kur ndërkohë duam ta civilizojmë”, sqaroi Veliaj.

Ai bëri të ditur se Bashkia e Tiranës është e vendosur për t’i shkuar gjer në fund betejave të saj ligjore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA