Fjalimi i parë si President/ Begaj: S’do qëndroj neutral ndaj asnjërit që vendos interesat politike mbi atë të Kombit. Vendit i nevojitet unitet

24/07/2022 18:10

Menjëherë pas betimit ne seancë plenare, Bajram Begaj mbajti fjalën e parë si President i Republikës.

Ndërsa falënderoi deputetët për besimin, Begaj tha se do të marrja e detyrës vjen në një moment historik për vendin.

Ndërsa vlerësoi punën e qeverisë, por nuk jusfikoi dështimet, Begaj tha se gjithashtu se respekton opozitën por të mos shihet konflikti përpara bashkëpunimit.

Fjalimi i parë si President i Republikës i Bajram Begajt: 

Është nder për mua, ti drejtohem Kuvendit si President i Republikës.
Ju faleminderit për besimin!

Jam plotësisht i vetëdijshëm, se mbi privilegjin e të qënurit qytetarit të parë të Republikës, rëndon përgjegjësia e përfaqësimit të unitetit tonë kombëtar, unitetit të pritshmërive dhe aspiratave të bashkëqytetarëve tanë.

Kjo përgjegjësi vjen në një moment historik për vendin tonë.

Shqipëria jonë e dashur, ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme europiane; trashëgimia e mëhershme e dilemave dhe e dyshimeve për orientimin e saj, i takon tashmë së shkuarës.
Shqipëria europiane, sot premtim e nesër realitet, është kurora e ëndrrës më të bukur historike të popullit shqiptar; është përmbushja e projekteve shekullore të njerëzve më të ditur të vendit; është testamenti i ardhur prej historisë dhe bekimi i së ardhmes.

Shqipëria europiane është Shqipëria e Gjergj Kastriotit dhe e Nënë Terezës, e Ismail Qemalit dhe e Fan Nolit; është Shqipëria e rinisë antifashiste dhe e studentëve të dhjetorit; është Shqipëria e qytetarëve që kanë dhunti e zotësi për të konkurruar e fituar në një shoqëri të bazuar mbi meritën.

Jemi ulur në tryezën e dialogut për të provuar kapitull pas kapitulli, denjësinë tonë si vend e shtet, me pjekuri politike për t’u vetëqeverisur me norma ligjore europiane.

Unë e njoh, e mbështes dhe e respektoj punën e qeverisë. Por përpjekja dhe dëshira nuk mund të justifikojnë asnjë dështim. Unë e njoh, e mbështes dhe e respektoj opozitën shqiptare dhe vlerat që ajo përfaqëson, por do të dëshiroja që asnjëherë të mos shihet konflikti përpara bashkëpunimit e të mos lutet dështimi përpara gjetjes së zgjidhjeve.

Periudha që po jetojmë është një nga më të vështirat dhe me të paparashikueshme që prej Luftës së Dytë Botërore. Pas pandemisë, agresioni Rus, një sulm i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj popullit të Ukrainës ka futur botën në një tjetër krizë, duke zgjuar kujtimet e errëta të pasojave katastrofike që prodhon lufta.
Askush nuk mund të jetë i përjashtuar nga pasojat e saj, as Shqipëria dhe Shqiptarët, të cilët janë rreshtuar në anën e duhur, përkrah aleatëve.

Angazhimi ynë, i të gjithëve ne, është të gjejmë mënyra, për të lehtësuar situatën. Të kemi ndenjën e përgjegjësisë dhe duke i paraprirë çdo konsiderate tjetër, të respektojmë vendimet e organeve kompetente, të mos i shmangemi detyrave, e mbi të gjitha të mos përfitojmë nga situatat e vështira.
Vetëm kështu interpretojmë qartë pritshmëritë dhe shpresat e qytetarëve tanë. Shpresa të cilat me dhimbje duhet ta pranojmë se marrin goditje prej 32 vitesh, disa reale, disa edhe të stisura.

Kriza e tranzicionit të stërgjatë e të lodhshëm, krizat e prodhuara nga brenda apo të importuara nga jashtë, krizat nga mosmarrëveshjet tona, nga paaftësitë për të gjetur një gjuhë e një rrugë të përbashkët, kriza nga papërgjegjshmëria, nga korrupsioni – të gjitha këto kanë prodhuar pasiguri, padrejtësi dhe përjashtim.
U betova sot se do ti shërbej Kushtetutës, interesit Kombëtar dhe përparimit të Popullit Shqiptar, dhe te përmbush detyrën time sipas parimeve dhe normave të Kushtetutës.
Këtë mision do ta kryej mbi palët, por unë nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit, që bie ndesh me këtë betim, ndaj asnjërit që vendos interesat politike përpara interesit të Kombit tonë.

Do të mbështes, këmbëngul dhe insistoj përherë në bashkëpunimin mes të gjitha forcave politike, në gjetjen e gjuhës së përbashkët, në gjetjen e rrugëve, qoftë edhe shtigjeve të përbashkëta, sepse në fund ne jemi shërbyes të qytetarëve dhe konflikti nuk është asnjëherë një shërbyes i mirë.

Ne kemi nevojë të ri-dimensionojmë besimin publik, i cili përbën shtyllën e funksionimit të shtetit dhe shpirtin e harmonisë së një kombi.
Ne nuk duhet të shmangemi nga gabimet e së shkuarës dhe të tashmes.
Të largohemi nga politika e konfrontimit dhe ta zëvendësojmë atë me politikën e dialogut dhe të bashkëjetesës, të ndërtojmë bashkërisht ura lidhëse midis klasave politike, shtetasve dhe shtetit.

Me vendosmëri të konsolidojmë shtetin e së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, për një të ardhme siç e meritojnë qytetarët, e dëshiron rinia dhe e ëndërrojnë fëmijët.

Të luftojmë për të rigjetur vlerat e humbura dhe forcimin e atyre që tashmë me shumë mund i kemi ndërtuar.
Ashtu siç kemi treguar dhe konsoliduar në vite harmoninë fetare, le të punojmë për një harmoni politike dhe njerëzore njëkohësisht.

Në një det të tillë të trazuar nevojitet unitet, më shumë se çdo herë, për të siguruar vitalitetin e kombit tonë, vitalitetin e Shqipërisë.

Të gjithë së bashku ta bëjmë Shqipërinë tonë edhe më të bukur, për të qenë në vendin që i takon.

Zoti bekoftë Shqipërinë dhe Shqiptarët!

Top Channel