Për zbardhjen e vrasjes së 3-fishtë në Fushë Krujë, kamerat e sigurisë në zonë kanë dhënë shumë pak të dhëna dhe grupi hetimor nuk ka mundur dot të ndërtojë një identikit të autorëve të dyshuar.
Prandaj policia është e orientuar në grumbullimin e sa më shumë dëshmive nga pyetja e personave që kishin konflikt me viktimat, rrethi shoqëror i tyre po ashtu edhe pyetja e personave me precedent penal në zonë që mund të kenë të dhëna për autorët.
Top Channel mëson se grupi i posaçëm hetimor, ka shtrirë hetimet në Lezhë, Krujë, Tiranë, Durrës e Elbasan dhe policia ka përpiluar një listë me gati 30 emra që një pjesë janë pyetur e një pjesë tjetër priten të pyeten. Të parët që dhanë deklarime para uniformave blu ishin familjarët e 3 viktimave, Brilant Martinaj, Dikler Varaj dhe Besmir Hoxha.
Në dëshmitë e tyre nuk u dha asnjë indicia që mund të çonte në autorët. Duke qenë se pista kryesore e hetimeve është vrasja për hakmarrje në pyetje janë marrë edhe të afërm të policit të FNSH-së, Xhulio Prela për vrasjen e të cilit ka qenë i dyshuar Brilant Martinaj. Në pyetje priten të merren edhe të afërm të ish-policit Xhelal Reçi të vrarë në nëntor të vitit të kaluar ku po ashtu dyshohej I përfshirë si autor Brilant Martinaj.
Mes familjarëve të tij është dhe ish-kryetari i bandës së Durrësit, Endrit Dokle, i cili pritet të pyetet edhe për një konflikt të hapur që ka me kushëririn e Brilantit, Ervis Martini. Sipas dëshmisë së Nuredin dumanit, ky i fundit ka paguar për ta eliminuar.
Në listën me 30 emra janë edhe persona të tjerë me precedent të theksuar kriminal që kanë konflikt me Ervis Martinin.
Në numrin e celularit të vënë në dispozicion nga policia për të dhënë informacione të vlefshme kundrejt shpërblimit 30 milionë lekë kanë ardhur disa informacione që grupi hetimor i ka cilësuar orientuese por nuk kanë mbërritur ende në emra konkret për autorët.
Top Channel