Gjyqtarja e Elbasanit, Zamira Vyshka është lënë në arrest shtëpie, me vendim të gjykatës.
Masa e sigurisë arrest shtëpie është lënë edhe për Andrea Tiranën, ndërkohë që avokati Ilir Pashaj, Taulant Ramollari dhe Xhulio Musa janë lënë nën burg.
Hetimet lidhen me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë, ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizim në caktimin e masës së dënimit.
Bëhet fjalë për familjarë të Xhulio Musajt i cili ishte arrestuar për plagosje, të cilët me anë të avokatit të tyre Ilir Pashaj i ofruan gjyqtares 2 milionë lekë të vjetra. Burimet thonë se kjo e fundit nuk e pranoi shumën e ofruar, duke marrë më pas dyfishin.
Pas analizimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal, SPAK i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e cila vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për gjyqtaren dhe njërin nga familjarët ndërsa la në “arrest me burg” avokatin Ilir Pashaj dhe dy familjarët e tjerë të cilët akuzohen për “korruposion aktiv”.
Gjyqtarja Zamira Vyshka ende nuk e kishte kaluar procesin e vetting-ut ndërsa priste të paraqitej në Komisionin e Verifikimit ndërsa Ilir Pashaj, dikur gjyqtar, dha dorëheqjen sapo nisi procesi i vetting-ut për të kaluar në profesionin e lirë të avokatit.
Top Channel