Saranda është duke jetuar këto ditë korriku fillimin e pikut të sezonit turistik për këtë vit.
Plazhet publike që nisin që prej portit dhe përfundojnë në rrugën dalëse drejt Ksamilit po presin pushues nga Shqipëria dhe Europa.
“Jam këtu si pjesë e një grupi prej 25 vetësh nga Rumania. Kemi vizituar dje Butrintin shëtitëm në Sarandë, shijuam ushqimin. Tani po shijoj pak kohë të pavarur nga grupi buzë detit. Çdo gjë mirë, akomodimi, ushqimi, njerëzit. Për çmimet mund të them se është më lirë se në Rumani. Misri është një produkt popullor besoj në të dy vendet. Këtu e bleva 1 Euro. Atje do ta blija të paktën 2 ose 3 Euro”, tha Nikole nga Rumania.
“Jam me një grup miqsh në Sarandë. Qyteti po i kalon të gjitha pritshmëritë. Deri tani na ka shijuar çdo gjë, plazhi publik, ndërveprimi me njerëzit, ushqimi i shpejtë në rrugë dhe aktivitetet në natyrë. Është e sigurtë se do të kthehemi sërish”, u shpreh Anna nga Gjermani.
Rruga e re Kardhiq-Delvinë që u çel vetëm këtë fillim korriku shkurtoi me të paktën 40 minuta udhëtimin nga Tirana drejt Sarandës. Kjo ka rritur interesin për të vizituar jugun megjithatë operatorët turistikë flasim për profile tërësisht të ndryshme klientësh në raport me vitet e kaluara.
Në portin e Sarandës po regjistrohen prekje të përjavshme nga anijet cruiz të cilat kanë rezervuar mbërritje deri në vjeshtën e vonë. Saranda, Ksamili dhe rrethinat kanë shtuar kapacitet akomoduese në raport me para pandeminë me të paktën 20% sipas drejtorisë së Turizmit në bashki.
E veçanta e turizmit të kësaj vere në Sarandë lidhet me një profil klientësh që ka më shumë interesa dhe për herë të parë ka rezervime që pritet të zgjasin sezonin deri në tetor, një trend i pushimeve të vjeshtës me standarde mjaft më të larta.
Oferta e mirë turistike për këtë kategori vizitorësh mund të ishte zgjidhje për të zbehur sezonalitetin edhe për vitet në vijim.
Top Channel