Policia tërhiqet nga zonat e krimit! Në Milot është mbyllur posta e policisë, nuk ka asnjë patrullë

23/07/2022 19:35

Në një distancë më pak se 30 kilometra në harkun e 5 ditëve kanë ndodhur dy atentate mafioze që i kanë marrë jetën 4 të rinjve, 3 në mbikalimin e Fushë-Krujës të dielën e kaluar në mes të ditës dhe më i fundit mbrëmjen e së premtes në qendër të Milotit.

Në të dyja rastet atentatorët janë zhdukur pasi kanë braktisur armët në makinat e djegura. Pavarësisht se siguria publike në këtë aks mjaft të frekuentuar është cënuar rëndë, policia është inekzistente. Tek- tuk sheh të patrullojë policia rrugore, e cila kryesisht merret me kundra-vajtjet e kodit rrugor dhe jo me makina me xhama të zinj e targa të huaja.

Edhe në Milot është e njëjta situatë Pavarësisht se nuk kanë kaluar as 24 orë nga atentati mafioz, në qytet nuk ka asnjë patrullë të vetme policie.

Miloti njihet për kriminalitetin e lartë dhe shpesh autorë të veprave penale fshihen në këtë qytet por pavarësisht kësaj policia në këtë qytet është inekzistente. Këtu nuk ka asnjë stacion policor dhe në qytet patrullon vetëm një patrullë rendi me dy punonjës.

Edhe në krimin e të premtes mbrëma policia mbërriti në vendin e ngjarjes me 30 minuta vonesë, kur autorët kishin mbërritur në Borizanë kishin djegur mjetin dhe ishin larguar në drejtim të paditur.

Kjo godinë e rrënuar dhe e mbuluar nga ferrat ka qenë dikur stacion policie që prej kohësh ka dalë jashtë funksionit. Tashmë për rendin e këtij qyteti problematik përgjigjet komisariati I Laçit.

Vrasja e 28-vjeçarit Klisman Preçi nxori zbuluar policinë pasi mungesa e informacionit nga policia kriminale dhe kontrollit të territorit bëri që atentati I Mbikalimit të Fushë- Krujës të përsëritej brenda 5 ditësh, me gjasë nga të njëjtët autorë.

Klisman Preçit dhe Ylli Brahimit në dy ngjarje të ndryshme muaj më parë iu rrezikua jeta nga të shtëna armësh por policia nuk shkoi dot tek emrat e vrasësve apo porositësve.

Vrasja e Erigers Mihasit e Armando Dumanit në nëntor të vitit të kaluar, Can Karriçit në Bathore një muaj më vonë, ekzekutimi i 3 të rinjve në mbikalimin e Fushë Krujës dhe së fundmi vrasja e 28 vjeçarit Klisman Preçi kanë një emërues të përbashkët, lidhjen me të shpallurin në kërkim Ervis Martinaj.

Të afërmit e 28-vjeçarit jashtë kameras i thanë Top Channel se kanë rezerva për uniformat blu. Sipas tyre policia i ka lënë dorë të lirë krimit të vritet mes tij duke marrë dhe jetë njerëzish që nuk kanë lidhje me të, siç ishte rasti I viktimës së fundit që I morri jetën vetëm dëshira për të udhëtuar me makina luksoze.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA