Korrupsion e bllokim hetimesh, SHBA shpall non grata ish-presidentin e Paraguait

23/07/2022 13:11

SHBA-ja vonon por nuk harron: Në listën e zezë të non gratave të DASH ka përfunduar tani edhe ish-Presidenti i Paraguait, Horacio Cartes, për “korrupsion domethënës” dhe “bllokim të hetimeve” ndërshtetërore.

“Ish-Presidenti Cartes pengoi një hetim madhor ndërkombëtar për krimin e organizuar me qëllimin të mbronte veten dhe të njohurit e tij kriminelë”, thuhet në deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

“Këto veprime konfirmuan përfshirjen e Cartes me organizatat e huaja terroriste dhe grupe të tjera të listuara nga Shtetet e Bashkuara”, theksohet me tej.

Cartes vetë i hodhi poshtë akuzat, të cilat, përmes një postimi në Twitter, i quajti të pabazuara dhe të padrejta.

66-vjeçari është pronar i një kompanie duhani dhe drejtoi një perandori të mirëfilltë të shitjeve me pakicë teksa udhëhiqte vendin amerikano-jugor në periudhën e viteve 2013-2018.

Ai besohet të jetë sot një prej njerëzve më të pasurve të Paraguait dhe shihej si kandidati më i mundshëm për të fituar zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në muajin dhjetor.

Në listën e zezë të SHBA-së kanë përfunduar edhe  tre fëmijët e tij. Në fillim të vitit ish-Prokurori i Përgjithshëm i vendit, Arnaldo Giuzzio, e akuzoi Cartes për kontrabandë cigaresh në Brazil duke përdorur kanalet e trafikut të drogës si dhe për pastrim parash si dhe pasurim të paligjshëm, akuza këto u hodhën poshtë në atë kohë.

Top Channel