Ikën Meta vjen Begaj/ Nesër ceremonia në Kuvend e më pas në selinë e Presidentit të Republikës

23/07/2022 12:09

E diela e 24 Korrikut shënon mbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një faqe të re për institucionin e Presidencës.

Ilir Meta do i dorëzojë zyrtarisht detyrën Bajram Begaj duke rikthyer traditën e një ish- ushtaraku në postin më të lartë të shtetit.

Parlamenti para se të marre  pushimet do të ri-mblidhet në ora 18.00 për ceremoninë  e betimit.

Me mbërritjen në  sallën e seancave plenare të deputetëve, trupës së ambasadoreve dhe Presidentit te ri, drejtuesja e seancës Lindita Nikolla do lexojë formulën e betimit.

Ky moment do të shënoje edhe marrjen e fuqisë së plotë si  kryetar i ri i shtetit nga Bajram Begaj. Pas betimit dhe fjalës para deputetëve, ceremonia pritet te zhvendoset në një tjetër godinë, atë të Presidencës.

Në orën 19.30 Ilir Meta do presë pasardhësin e tij për ti dorëzuar simbolikisht  çelësat e institucionit që ai do drejtojë për 5 vite.

Të dy Presidentët, ai në largim dhe Presidenti i ri do zënë vend në tribunë. Ekzekutimi i himnit kombëtar do shoqërohet nga 21 të shtëna topi, e menjëherë më pas kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, do i dorëzojë Presidentit Begaj, Kushtetutën e vendit.

Kryetari i ri i shtetit pritet të mbajë fjalën e rastit, duke shënuar zyrtarisht largimin nga detyra të Ilir Metës.

Ndryshe nga paraardhësi i tij, Bajram  Begaj do ketë në krah zonjën e parë të shtetit  për të pritur të ftuarit.

Trokitja e gotave në oborrin e Presidencës do të  shënojë edhe përfundimin e ceremonisë. Ilir Meta i jep në këtë mënyrë lamtumirë institucionit qe drejtoi për  5 vite për tu rikthyer në një tjetër godinë atë të krijesës së tij  politike, LSI.

 

Top Channel