E diela e 24 Korrikut shënon mbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një faqe të re për institucionin e Presidencës.
Ilir Meta do i dorëzojë zyrtarisht detyrën Bajram Begaj duke rikthyer traditën e një ish- ushtaraku në postin më të lartë të shtetit.
Parlamenti para se të marre pushimet do të ri-mblidhet në ora 18.00 për ceremoninë e betimit.
Me mbërritjen në sallën e seancave plenare të deputetëve, trupës së ambasadoreve dhe Presidentit te ri, drejtuesja e seancës Lindita Nikolla do lexojë formulën e betimit.
Ky moment do të shënoje edhe marrjen e fuqisë së plotë si kryetar i ri i shtetit nga Bajram Begaj. Pas betimit dhe fjalës para deputetëve, ceremonia pritet te zhvendoset në një tjetër godinë, atë të Presidencës.
Në orën 19.30 Ilir Meta do presë pasardhësin e tij për ti dorëzuar simbolikisht çelësat e institucionit që ai do drejtojë për 5 vite.
Të dy Presidentët, ai në largim dhe Presidenti i ri do zënë vend në tribunë. Ekzekutimi i himnit kombëtar do shoqërohet nga 21 të shtëna topi, e menjëherë më pas kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, do i dorëzojë Presidentit Begaj, Kushtetutën e vendit.
Kryetari i ri i shtetit pritet të mbajë fjalën e rastit, duke shënuar zyrtarisht largimin nga detyra të Ilir Metës.
Ndryshe nga paraardhësi i tij, Bajram Begaj do ketë në krah zonjën e parë të shtetit për të pritur të ftuarit.
Trokitja e gotave në oborrin e Presidencës do të shënojë edhe përfundimin e ceremonisë. Ilir Meta i jep në këtë mënyrë lamtumirë institucionit qe drejtoi për 5 vite për tu rikthyer në një tjetër godinë atë të krijesës së tij politike, LSI.
Top Channel