10 milionë dollarë shpërblim ofruan Shtetet e Bashkuara për informacione mbi grupin e hakerave Conti të lidhur me Rusinë, i akuzuar për sulmin madhor kibernetik kundër Kosta Rikës muajin e kaluar, e jo vetëm.
Shpërblimi i Departamentit të Shtetit ofrohej për këdo që jepte informacione për identitetin apo vendndodhjen e krerëve të organizatës, së kthyer prej disa kohësh në një shqetësim, që sot nuk është më i heshtur.
Sulmet për para të këtyre hakerave të të dhënave kanë bërë më shumë se 1000 viktima që nga janari, sipas FBI-së, dhe i kanë sjellë grupit plot 150 milionë dollarë fitime.
Pagesa të tilla e bëjnë Contin virusin më të shtrenjtë kompjuterik të regjistruar ndonjëherë, sipas DASH. Me shpërblimin e ofruar prej tyre, Shtetet e Bashkuara dëshmuan nivelin e angazhimit për mbrojtjen e viktimave në mbarë botën nga shfrytëzimi prej krimineleve kibernetike, thuhej në deklaratë.
Zyrtarisht, Kosta Rika refuzoi t`i paguante hakerat që e detyruan këtë vend të shpallte emergjencën kombëtare pas sulmit gjunjëzues të Contit, që kishte arritur të identifikonte te meta në infrastrukturën publike të sigurisë kibernetike të vendit.
Disa agjenci qeveritare u bllokuan për gati një muaj, e një fat të ngjashëm patën edhe një sërë platformash dixhitale, përfshirë atë të Ministrisë së Financave dhe Administratës Virtuale të Taksave, që kanë një rol kyç në mbledhjen e taksave e dhënien e pagave.
Conti mori përgjegjësinë e sulmit e kërkoi 10 milionë dollarë shpërblim që të mos publikonte informacionet e vjedhura.
Ngërçi shkaktoi vonesa në dhënien e pagave. Conti është një virus jashtëzakonisht i dëmshëm për shkak të shpejtësisë me të cilën kodon të dhënat dhe përhapet në sisteme të tjera.
Ai u diktua për herë të parë në vitin 2020 dhe mendohet se drejtohet nga një grup krimi kibernetik me bazë në Rusi që përdor pseudonimin Wizard Spider.
Kosta Rika u bë vend ii parë që shpalli gjendjen e jashtëzakonshmë për shkak të sulmeve kibernetike, por mjaft ekspertë sigurie e shprehën që në fillim frikën se ajo nuk do të mbetej e vetmja, teksa kriminelët kibernetikë po godasin të ashtëquajturat “shënjestra të buta” në infrastrukturën publike, përfshirë këtu edhe spitale, trena e shkolla, në një aktivitet që me 150 milionë dollarë të grumbulluar deri tani, rezulton mjaft fitimprurës për ta.
Top Channel