Dalja nga errësira digjitale që krijoi sulmi kibernetik në sistemet e informacionit e faqet qeveritare, duket se po shkakton një çorientim te përdoruesit e shërbimeve elektronike.
Edhe pse kryeministria njoftoi se nga 1225 shërbime që ofron e-Albania vetëm 8 prej tyre nuk janë rikthyer në funksion, në realitet nuk rezulton kështu. Mes punonjësve të institucioneve shtetërore mungon komunikimi zyrtar përmes adresave të e-mail me gov.al, pasi mesazhet elektronike nuk mund të dërgohen.
Por përveç kësaj, më të shqetësuar përballë këtij rikthimi të cunguar të sistemit janë sipërmarrësit, të cilët kanë frikë se duke mos kryer dorëzimin e dokumentave apo bilanceve vjetore në kohë do të gjobiten.
Afati i fundit që rreth 20 mijë biznese duhet të dorëzojnë bilancet e vitit 2021 është 31 korriku, në të kundërt ligji parashikon gjoba në vlerën e 60 mijë lekëve dhe bizneset kërkojnë që të mos penalizohen pasi nuk është faji i tyre dhe propozojnë shtyrjen e afatit.
Nga ana tjetër të vetëpunësuarit hasin probleme me mosfunksionimin e programit ‘self-care’ që është i lidhur me e-Albania. Një tjetër pengesë është hapja e bizneseve të reja që bëhet përmes regjistrimit online me e-Albania në qendrën kombëtare të biznesit, apo shtyrja e pagesave krijon një hendek për administratën tatimore teksa është bllokuar edhe verifikimi nëse është shpërndarë ose jo fitimi i kompanive të mëdha duke lënë hapësira edhe për abuzime.
Top Channel