Shqipëria, ndër 10 vendet që do të kenë rënien më të madhe të popullsisë në botë

22/07/2022 10:18

Shqipëria renditet ndër 10 vendet, që do të kenë rënien më të madhe të popullsisë në botë deri në vitin 2050, sipas një raporti të Visual Capitalist, që ka përpunuar të dhënat e Kombeve të Bashkuara.

Popullsia e Shqipërisë pritet të tkurret me 15.8% deri në vitin 2050, sipas raportit, duke u renditur e dhjeta, pas Bullgarisë, Lituanisë, Letonisë, Ukrainës, Serbisë, Bosnjë hercegovinës, kroacisë, Moldavisë dhe Japonisë.

Sipas tabelave të Kombeve të Bashkuara, deri në vitin 2050 popullsia e Shqipërisë pritet të zbresë në 2.5 milionë banorë dhe deri në vitin 2100 do të tkurret në 1.1 milionë banorë.

Parashikimet e mëparshme ë Kombeve të bashkuara, në skenarët pesimistë prisnin një rënie të popullsisë deri në 860 mijë banorë në vitin 2100.

Raporti

Që nga mesi i viteve 1900, popullsia globale ka ndjekur një trajektore në rritje, thotë raporti. Ndërsa pjesa më e madhe e kësaj rritjeje është përqendruar në Kinë dhe Indi, studiuesit presin që vala e ardhshme e rritjes të ndodhë në Afrikë. Që nga viti 2019, për shembull, një grua mesatare në Niger bën mbi gjashtë fëmijë përgjatë jetës së saj. Në anën e kundërt të këtij spektri janë një numër vendesh që duket se po tkurren nga perspektiva e popullsisë.

Shumë nga këto vende ndodhen në ose afër Europës Lindore.

Arsyeja e parë është lindshmëria, e cila sipas Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare (PIIE), është tkurrur që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Në të gjithë rajonin, numri mesatar i fëmijëve për grua ra nga 2.1 në 1988 në 1.2 deri në 1998.

Normat e lindjeve janë rikuperuar pak që atëherë, por nuk janë të mjaftueshme për të kompensuar vdekjet dhe emigracionin, që i referohet qytetarëve që largohen nga vendi i tyre për të jetuar diku tjetër.

Europa Lindore pa disa valë emigracioni pas zgjerimit të kufijve të Bashkimit Evropian (BE) në 2004 dhe 2007. PIIE raporton se deri në vitin 2016, 6.3 milionë europiano-lindorë banonin në shtete të tjera të BE-së.

Bullgaria është shteti që pritet të ketë rënien më të madhe të popullsisë në botë, me -22.5%, e ndjekur nga Lituania me 22.1%./ Monitor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA