Përveç krizës së pashpjeguar të fluturimeve në sezonin turistik, një fluturim i linjave amerikane Alaska Airlines mbeti i bllokuar për orë të tëra nga konflikti personal i dy pilotëve që refuzonin të fluturonin me njëri-tjetrin, sipas mediave vendase.
Pasagjerët e fluturimit nga Uashington drejt San Francisco qëndruan për më shumë se dy orë në tokë pasi piloti dhe ndihmës piloti i mjetit nisën një debat të ashpër me njëri-tjetrin.
Çuditërisht në deklaratën e linjës ajrore thuhej se pilotët kishin “bërë gjënë e duhur” në ato rrethana.
Alaska Airlines tha se gjithçka kishte ndodhur prej një “mosmarrëveshjeje profesionale” mes dy pilotëve që kishte detyruar kthimin e avionit AS1080 në portën e nisjes.
Avioni ishte vonuar gjithsesi për njëfarë kohe prej motit të keq, para nisjes së sherrit vulgar në kabinën e pilotimit.
Një pasagjer komentonte: “… pasi pritëm në avion që të kalonte stuhia, dy pilotët e sollën atë përsëri në postat e daljes pasi nuk rrinin dot me njëri-tjetrin”.
“Shumë joprofesionale. Punonjësit e fluturimit po përpiqen të na qetësojnë por unë nuk e kam idenë çfarë po ndodh”.
Alaska Airlines tha se vendimi për ndryshimin e pilotëve ishte i duhuri, për hir të sigurisë së fluturimit: “Megjithse ishte një situatë e pafat, për hir të sigurisë, pilotët bënë gjënë e duhur që kthyen avionin. Si kapiteni i avioni dhe oficeri i parë po merren në vlerësim nga drejtuesit. Ata u vlerësuan se ishin të përshtatshëm për të vazhduar fluturimet dhe avioni kreu udhëtimin e tij drejt San Francisco”.
Shumë pasagjerë ishin dakord me vendimin, teksa komentonin: “Sigurisht që nuk duam të fluturojmë me dy djem që do të bëjnë sherr në kabinën e fluturimit, kjo do të ishte recetë për katastrofë”.
Top Channel