Kremlini: Zhbllokimi i eksporteve të drithërave është shumë i rëndësishëm

22/07/2022 13:51

Kremlini tha të premten se është “shumë e rëndësishme” që të zhbllokohen eksportet, teksa Kievi dhe Moska pritet të arrijnë një marrëveshje që do të ndihmojë në lehtësimin e krizës ushqimore globale.

“Është shumë e rëndësishme që të zhbllokohen furnizimet me plehra, ushqime dhe drithëra në tregjet botërore”, tha për gazetarët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Është një sasi e vogël e drithit ukrainas, por megjithatë është shumë e rëndësishme që ky drithë të arrijë në tregjet botërore”, shtoi ai.

Sipas Radio Evropa e Lirë më vonë gjatë të premtes, Kievi dhe Moska pritet të nënshkruajnë një marrëveshje në Stamboll për të rikthyer eksportet e drithërave ukrainase nga Deti i Zi, edhe pse forcat ruse kanë nisur një sulm të ri me artileri në lindje të Ukrainës.
Bisedimet për zhbllokimin e eksporteve të drithërave janë ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia.

Peskov tha se ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, do të përfaqësojë Moskën gjatë takimit në Stamboll.

Ai konfirmoi planet për nënshkrimin e marrëveshjes, por nuk komentoi më shumë.

Gjatë vizitës në Teheran më herët gjatë kësaj jave, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Perëndimi duhet të heqë kufizimet ndaj eksporteve të drithërave ruse nëse dëshiron që Moska të lehtësojë eksportet e drithërave ukrainase.

Pushtimi rus në Ukrainë ka ndërprerë dërgesat e drithërave nga Ukraina, një prej eksportuesve më të mëdha në botë të grurit dhe drithërave të tjera, duke rritur frikën se mund të ketë mungesë të furnizimeve ushqimore globale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA