Berisha: Anglia më shpalli “non-grata”! Më dërguan letër për lidhje me krimin, korrupsion dhe Fazlliçin

22/07/2022 15:03

Sali Berisha ka pohuar me gojën e tij se krahas të qenurit “non grata” në SHBA tashmë është “non grata” edhe në Britaninë e Madhe.

“Jam njoftuar me një letër se, Home Secretary ka marrë vendimin për moslejimin e hyrjes sime në MB me arsyetimin se ju keni lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike”.

Sali Berisha ka dhënë edhe të tjera detaje se çfarë thotë Priti Patel sekretare shteti në Britaninë e Madhe në letrën dërguar atij.

“Për korrupsion dhe pasurimin tim, dhe rretheve të njerëzve pranë meje, ku si shembull përmendet ish këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç, të cilin sipas vlerësimit të tyre, unë e kam mbrojtur kur, kundër tij kanë dalë prova inkriminuese”.

Sikurse  për vendimin e amerikanëve, edhe për këtë “non grata” britanike, Sali Berisha ka bërë përgjegjës Edi Ramën.

“Ky vendim është në vazhdën e shpifjeve për interesa të të njëjtit grup, që ka sponsorizuar edhe vendimin e Sekretarit Blinken, të bazuar në shpifje dhe lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe multimiliardierit George Soros. Unë kam qenë në dijeni të përpjekjeve të diplomatëve të Departamentit të Shtetit, që partnerët ndërkombëtarë t’i bashkangjiten vendimit të tyre, absolutisht pa asnjë bazë, me qëllim rritjen e presionit ndaj meje dhe justifikimin e vendimit të tyre bazuar në shpifje”.

Për shpalljen “non grata” edhe nga Britania e Madhe Sali Berisha paralajmërojë një betejë ligjore të mundshme.

Top Channel