Arrestohet gjyqtarja e Elbasanit/ Zamira Vyshka dhe avokati Ilir Pashaj akuzohen për korrupsion

22/07/2022 15:13

Pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është arrestuar sot në Elbasan gjyqtarja Zamira Vyshka dhe avokati Ilir Pashaj.  

Dy funksionarët e drejtësisë akuzohen për “Korrupsion pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.

Mes të arrestuarve të ditës së sotme janë edhe 3 persona të tjerë të cilët akuzohen për “korrupsion aktiv.

Fakti penal i hetuar, lidhet me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë, ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizim  në caktimin e masës së dënimit.

Bëhet fjalë për familjarë të Xhulio Musajt i cili ishte arrestuar për plagosje, të cilët me anë të avokatit të tyre Ilir Pashaj i ofruan gjyqtares 2 milionë lekë të vjetra. Burimet thonë se kjo e fundit nuk e pranoi shumën e ofruar, duke marrë më pas dyfishin.

Pas analizimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal, SPAK i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e cila vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për gjyqtaren dhe njërin nga familjarët ndërsa la në “arrest me burg” avokatin Ilir Pashaj dhe dy familjarët e tjerë të cilët akuzohen për “korruposion aktiv”.

Gjyqtarja Zamira Vyshka ende nuk e kishte kaluar procesin e vettingut ndërsa priste të paraqitej në Komisionin e Verifikimit ndërsa Ilir Pashaj, dikur gjyqtar, dha dorëheqjen sapo nisi procesi i vettingut për të kaluar në profesionin e lirë të avokatit.

Top Channel