Të paktën 18 njerëz kanë vdekur dje gjatë një aksioni të gjerë të policisë brenda zonave të varfra të mbipopulluara të metropolit brazilian Rio de Janeiro, njoftoi policia ushtarake, në përplasjen më të fundit në qytetin e dytë më të madh të vendit.
Forcat speciale të policisë civile e ushtarake të Rio de Janeiro, sulmuan zonen Alemao në ndjekje të një organizate kriminale të dyshuar si të përfshirë në vjedhje ngarkesash, grabitje bankash dhe sulme ndaj bandave rivale, justifikonin ata.
Policia tha se 18 të vdekurit ishin një oficer policie, 16 të dyshuar si anëtarë bandash dhe një grua e pafajshme.
Në operacion ishin përfshirë 400 oficerë, katër helikopterë dhe dhjetë autoblinda.
Por numri i madh i viktimave ka ngritur perseri frika për abuzime nga policia.
“Ka sinjale për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut teksa ky është ndoshta operacioni me numrin më të madh i viktimave në Rio de Janeiro,” thanë autoritetet e avokatit të popullit.
Policia në Rio kryen rregullisht bastisje në ‘favela-t’ masive të qytetit të cilat shpesheherë kanë lënë dhjetra njerëz të vrarë në përplasjet e armatosura me autoritetet.
Rezidentët e zemëruar ulërinin ndaj policisë për veprimet arbitrare, e cila nga ana e saj thotë se “nuk ka mënyrë tjetër për kryerjen e operacioneve në favelat ku kriminelët mund të fshihen në ndërtesat e ngjeshura e të mbipopulluara”.
Pas sulmit rezidentët shiheshin duke dërguar të plagosur në spital me makinat e tyre, teksa Gilberto Santiago Lopes, i grupit të të drejtave Anacrim tha se policia kishte refuzuar të jepte ndihmë.
“I dërguam ata në spital me kamionë, policia nuk tenton t’i arrestojë por t’i vrasë, prandaj kur plagosen nuk i ndihmon”, tha ai.
“Kemi frikë të jetojmë këtu,” tha një manore e zonës. “Ku jemi këtu, në Afganistan? Nëse duan luftë le t’i dërgojnë ushtarët në Irak”, shtoi rezidentja.
Top Channel