Kuvendi diskuton rezolutën për Dick Marty, Balla: Duhet mbështetur nga të gjithë deputetët

21/07/2022 11:10

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, prezantoi në Kuvend rezolutën mbi pabazueshmërinë e pretendimeve të ngritura në raportin e Dick Martyt, për trafikim të organeve në Kosove dhe Shqipëri.

Ndërsa lexoi të plotë rezolutën e hartuar nga PS, Balla kërkoi mbështetjen e të gjithë deputetëve për miratimin e saj.

PROJEKT-REZOLUTË 
MBI PABAZUESHMËRINË E PRETENDIMEVE PËR TRAFIKIMIN E PALIGJSHËM TË ORGANEVE NJERËZORE

NË KOSOVË DHE SHQIPËRI

Duke iu referuar Rezolutës 1782 (2011) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (“APKiE”) për “Hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”, e cila bazohej në një raport (Doc. 12462, datë 7 janar 2011) të Dick Marty, (“Raporti”), asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në APKiE;

Duke rikujtuar se Raporti u hartua në vijim të një mocioni për rezolutë (Dokumenti 11574, datë 15 Prill 2008), me autor ish anëtarin e APKiE, Konstantin Kosachev, Federata Ruse, Grupi Europian Demokrat, bazuar në kujtimet e znj. Carla Del Ponte, ish Prokurore e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish Jugosllavinë (“ICTY”), e cila në librin e saj “Gjuetia: unë dhe kriminelët e luftës”, botuar dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe rreth tre muaj pasi kishte dhënë dorëheqjen si prokurore e ICTY, ngrinte dyshime se pjestarë, drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kishin kryer trajtime çnjerëzore të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe në Shqipëri, krime këto që nuk mund të hetoheshin nga ICTY për mungesë juridiksioni si dhe për shkak të mandatit të kufizuar në kohë dhe territor të kësaj gjykate. Këto pretendime ishin hetuar dhe më parë nga zyra e ICTY, gjatë mandatit të Del Ponte, por nuk ishin gjetur prova për të bazuar pretendimet për kryerjen e këtyre krimeve;

Duke nënvizuar se Raporti i Dick Marty, në vijim të pretendimeve të ish prokurores Carla Del Ponte dhe mocionit për rezolutë të nisur prej deputetit rus në APKiE, Kosachev, edhe pse nuk është një raport faktmbledhës apo hetimi, ngre pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjestarë dhe drejtues të UÇK ndaj shtetasve serbë, kosovarë dhe komunitetit rom apo minoriteteve të tjera të Kosovës në territorin shqiptar, më konkretisht në veri të Shqipërisë: Kukës, Burrel, Rripe, Cahan dhe Fushë Krujë, në periudhën pas përfundimit të luftës në Kosovë, kryesisht pas qershorit të vitit 1999, dhe ka shërbyer si dokumenti ku bazohen rekomandimet në Rezolutën 1782 (2011) e APKiE, drejtuar vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, Bashkimit Europian dhe organizatave ndërkombëtare, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë dhe mbi të cilin u realizuan një sërë nismash kushtetuese dhe/ose ligjore dhe rregullatore si dhe veprimtari institucionale në Kosovë, Shqipëri dhe Bashkimin Evropian (EULEX), sic përshkruhen në vijim në këtë Rezolutë;

Duke vlerësuar Kuvendin e Kosovës që pati vullnetin politik, edhe pse disa prej atyre të cilët votuan ishin të akuzuarit e krimeve të pretenduara në Raportin e Dick Marty, për të miratuar amendamentin kushtetues n.24 të gushtit 2015 që parashikoi krijimin e dhomave të specializuara për ndjekjen penale mbi pretendimet që lidhen me cfarë pretendohet në Raportin e Dick Marty dhe që ishte objekt hetimi edhe nga Task Forca Hetimore Speciale e Bashkimit Europian ngritur sipas vendimit të majit 2011 të Komitetit Politik dhe Sigurisë së Bashkimit Europian për disa ndryshime në planin operacional të EULEX, në vijim të Rezolutës 1782 (2011) të APKiE;

Duke sjellë në vëmendje se veprimin e klasës politike të Kosovës për amendamentin kushtetues n.24 të Gushtit 2015, e vlerësoi dhe APKiE në Rezolutën 2094 (2016) “Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Europës”, e cila në pikën 3, thotë shprehimisht se: “Asambleja mirëpret miratimin nga Kuvendi i Kosovës të amendamenteve kushtetuese të cilat i hapën rrugën krijimit të dhomave të specializuara për ndjekjen penale të rasteve të hetuara nga Task Forca Hetimore Speciale, si vazhdim i Rezolutës së Asamblesë 1782 (2011) për hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë. Asambleja e konsideron këtë vendim si një hap drejt pajtimit dhe një shenjë e gatishmërisë së pushtetit për të luftuar mosndëshkimin.”;

Duke vlerësuar dhe rikujtuar gjithashtu se në zbatim të amendamentit kushtetues, si dhe Ligjit Nr. 04/L -274 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë”, Kuvendi i Kosovës miratoi dhe Ligjin Nr. 05/L -053 “Për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, duke i dhënë juridiksionin këtyre organeve të pavarura dhe të përkohshme, pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, në përbërje të së cilave nuk ka shtetas kosovarë, për të hetuar e ushtruar ndjekjen penale për krimet e supozuara që janë raportuar në Raportin e Dick Marty dhe që kanë qenë edhe objekt i hetimeve penale të kryera nga Task Forca Hetimore Speciale e Bashkimit Europian;

Duke nënvizuar se as Task Forca Hetimore Speciale e Bashkimit Europian e kryesuar nga Clint Ëilliamson, e autorizuar në vitin 2011 për një hetim të plotë penal mbi akuzat për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre, nuk gjeti kurrë prova dhe fakte në mbështetje të pretendimeve në Raportin e Dick Marty;

Duke vënë në dukje se as Zyra e Prokurorit të Specializuar, që është krijuar për të hetuar dhe për të ndjekur penalisht individë për krime të supozuara në raportin e Dick Marty, në asnjë prej hetimeve të saj e në asnjë prej aktakuzave që u ngritën kundër ish-drejtuesve të UÇK në vitin 2020, nuk përmend asnjë rast që të lidhet me trafikimin e organeve njerëzore;

Duke theksuar gatishmërinë dhe vullnetin e Shqipërisë për të bashkëpunuar pa rezerva me të gjitha institucionet ndërkombëtare me qëllim që t’i jepet një përgjigje përfundimtare pretendimeve në Raportin e Dick Marty dhe për t’i shkuar deri në fund këtij procesi, për të mbyllur një herë e mirë kapitullin se në Shqipëri nuk janë kryer krime të supozuara si ato që përmenden në Raportin e Dick Marty, si dhe duke nënvizuar asistencën dhe bashkëpunimin efektiv të Shqipërisë me çdo mision faktmbledhës apo investigues të Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Evropës, EULEX Bashkimit Europian apo tjetër që kanë patur interes të kryejnë investigime dhe veçanërisht në zbatim të rekomandimeve të Rezolutës së APKiE 1782 (2011), edhe përpara se të ngriheshin Dhomat e Specializuara apo Zyra e Prokurorit Special në Kosovë;

Duke vënë në dukje se shprehje e vullnetit të Shqipërisë për të bashkëpunuar në interes të drejtësisë dhe zbardhjes së të vërtetës për krimet e supozuara në Raportin e Dick Marty, është dhe miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i Ligjit nr.53/2012 “Për Marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën Hetimore Speciale të EULEX-it”, i cili autorizon autoritetet kompetente të Republikës së Shqipërisë t’i ofrojnë Task Forcës Hetimore Speciale të Bashkimit Europian bashkëpunimin dhe ndihmën përkatëse që u kërkohet;

Duke rikujtuar se miratimi i Ligjit nr.53/2012 nga Kuvendi i Shqipërisë është vlerësuar në Raportin e APKiE, (Doc. 13586), datë 2 shtator 2014 “Respektimi i detyrimeve dhe angazhimeve nga Shqipëria” ku në pikën 5.5 “Ndjekja e raportit të Asamblesë për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”, paragrafi 129, shprehimisht thuhet: “Ne mirëpresim faktin që autoritetet shqiptare kanë ofruar një bashkëpunim të plotë dhe të papenguar për hetuesit e EULEX-it për këto krime të supozuara në territorin shqiptar. Duke e konsideruar me rëndësi të madhe që pretendimet e ngritura në këtë raport të hetohen plotësisht dhe në mënyrë transparente, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me njësinë e hetimeve speciale të EULEX-it” në maj të vitit 2012. Bazuar në këtë ligj, Prokurorët e EULEX-it lejohen të hetojnë brenda territorit shqiptar mbi implikimet e supozuara të Shqipërisë në trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në territorin shqiptar. Ata kanë pasur mbështetjen e plotë të të gjitha institucioneve kompetente. Në lidhje me hetimin e pavarur dhe të veçantë nga autoritetet shqiptare, siç kërkohet nga Kuvendi, autoritetet deklaruan se hetimet e tyre deri më tani nuk kanë konfirmuar gjetjet e Marty.”;
Duke nënvizuar se pas hyrjes në fuqi të Ligjit nr.53/2012, autoritetet shqiptare bashkëpunuan ngushtësisht me Task Forcën Hetimore Speciale të Bashkimit Europian dhe organet e specializuara në Kosovë, duke ofruar gjithë ndihmën, asistencën e nevojshme, informacionet e kërkuara si dhe kryerjen e veprimeve përkatëse në lidhje me to, me qëllim zbardhjen e të vërtetës mbi pretendimet në Raportin e Dick Marty;

Duke konstatuar se nga hyrja në fuqi e Ligjit nr.53/2012 e deri më sot, asnjë prej organeve të specializuara në Kosovë apo organizatat ndërkombëtare nuk kanë ngritur asnjë pretendim për mungesën e bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare në këtë proces;

Duke nënvizuar seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e Kuvendit të Shqipërisë për të ushtruar kontrollin parlamentar për zbatimin e Rezolutës 1782 (2011) të APKiE dhe Ligjit nr.53/2012 nga autoritetet shqiptare nëpërmjet ngritjes së një Komisioni të Posaçëm për realizimin e këtij funksioni parlamentar me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë nr. 72/2020, i cili nuk e përmbylli dot veprimtarinë e tij për shkak të mbarimit të legjislaturës së IX të Kuvendit (2017-2021), por arriti të marrë informacione e raporte të plota që vërtetojnë se gatishmëria e autoriteteve shqiptare ka qenë efektive dhe këto autoritete i janë përgjigjur në kohë e me konstruktivitet kërkesave të autoriteteve të huaja për bashkëpunim, ndihmë, asistencë dhe veprime konkrete sipas përcaktimeve të Ligjit nr.53/2012, duke përmbushur kështu njëkohësisht dhe rekomandimet e Rezolutës 1782 (2011) për Shqipërinë;
Duke konstatuar se nga aktet, provat, raportet dhe informacionet që mblodhi Komisioni i Posaçëm ngritur me vendim të Kuvendit nr.72/2020, nuk ka asnjë fakt apo provë që të vërtetojë pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe/apo në Shqipëri;

Duke theksuar se Dick Marty, pas vizitave që kreu si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, kurrë deri më sot, nuk ka paraqitur asnjë provë për të vërtetuar krimet e supozuara të kryera në lidhje me trafikimin e organeve njerëzore, siç pretendon në Raportin e tij;
Duke qenë se kësisoj, edhe pas më se një dekade nga Rezoluta 1782 (2011) e APKiE, rezulton se asnjë nga misionet dhe/apo hetimet e organeve të drejtësisë vendase apo ndërkombëtare nuk kanë gjetur asnjë fakt e asnjë provë që të vërtetojë pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty për vrasje me qëllim trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe/apo në Shqipëri;

Duke respektuar dhe pa ndërhyrë në asnjë hetim apo procedurë gjykimi ndaj personave të veçantë, udhëheqësve të luftës së UÇK dhe duke qenë të përkushtuar për zbatimin e plotë të rekomandimeve të Rezolutave të APKiE si vend anëtar i Këshillit të Evropës;
Duke ndarë të njëjtin mendim me Dick Marty, aty ku shprehet në Raportin e tij se: “E vërteta dhe përgjegjshmëria janë nevoja absolute nëse duhet të ketë pajtim dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”;

Duke vlerësuar legjitimitetin e luftës heroike të UÇK për çlirimin e vendit dhe duke qenë të bindur se pavarësisht se nuk mund të vendosen paralele midis masakrave çnjerëzore, spastrimeve etnike, deportimeve, vrasjeve, përdhunimeve, plaçkitjeve dhe krimeve të luftës, nga drejtues dhe anëtarë të makinerisë zyrtare luftarake serbe dhe paramilitarët e saj gjatë luftës në Kosovë, nga njëra anë, dhe integritetit e kauzës së drejtë të luftës së UÇK si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë të popullit në Kosovë, nga ana tjetër, çdo dyshim për krime duhet zbardhur nga organet e drejtësisë sipas parimeve të procesit të rregullt ligjor, por procesi për këtë çështje do duhet të mbarojë dikur, me qëllim që popujt të gjejnë focën të pajtohen e jetojnë së bashku duke shëruar plagët e së shkuarës;

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
– Konstaton se, pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.

– Përgëzon autoritetet e Republikës së Kosovës, të cilat, në përputhje me kërkesat e parashikuara në pikën 19.6 të Rezolutës 1782 (2011) të APKiE, kanë bashkëpunuar pa rezerva me EULEX dhe çdo organ tjetër gjyqësor të mandatuar për të kryer hetime vijuese si dhe në kuadër të çdo procedure tjetër që synon të zbulojë të vërtetën.

– Përshëndet autoritetet e Kosovës, të cilat, në përputhje me një marrëveshje ndërkombëtare dhe amendamentin kushtetues nr.24 të Gushtit 2015 miratuan themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesë përbërëse e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe të natyrës së përkohshme, me qëllim kryesor hetimin dhe/ose gjykimin e krimeve të pretenduara në Raportin e Dick Marty.

– I bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (folloë up report) dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës 1782 (2011), duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.

– I kërkon Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi dhe përsërit thirrjen e tij për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj.

– Shpreh vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA