Policia në Florida tha dje se ka arrestuar një grua “tejet të intoksikuar” që kishte ngulur sfurkun ndaj një mini-furgoni pas një konflikti prapa një supermarketi.
56 vjeçarja Lisa Slone ishte parë teksa përpiqej të shiste arinj pellushi në parkingun e supermarketit Publix në qytezën Minneola.
Por pas ankesave të stafit të supermarketit ajo u ndalua dhe u dërgua në burgun e Lake County.
Menaxheri i tha policisë se gruaja kishte tentuar më herët të vidhte arinj pellushi brenda supermarketit, sipas raportit të patrullës rrugore të Florida, që u shpërnda në media.
Ankimuesit thonin se më herët gruaja ishte parë duke ecur me një sfurk dhe një kamzhik të zi në dorë.
Ajo kishte përdorur sfurkun e saj për të sulmuar një furgon më herët. Por pronari i automjetit nuk kishte dashur të përzihej me policinë dhe tha se do të paguante vetë dëmin.
Pas ardhjes së policisë Slone ishte urdhëruar të hidhte përtokë sfurkun e saj, por ajo kishte refuzuar dhe ishte larguar.
Gruaja më pas ishte arrestuar me forcë dhe policët thanë se duhej ta mbanin nga këmbët për të ndaluar goditjet e saj ndaj tyre dhe dritares së automjetit të policisë.
Kur oficerët e pyetën për shenjat dhe gërvishtjet në fytyrën e saj, Slone tha se “nuk ndjente asnjë dhimbje dhe se Zoti kishte gjithçka nën kontroll.”
Policia shkruante se gruaja dukej në efektin e substancave intoksikuese por nuk kishte erë pijesh alkoolike.
Slone u regjistrua në polici për sulm me një armë vrasëse, ndërsa siç shihet, ngërdheshej dhe në foton zyrtare të arrestimit, shkruanin mediat amerikane.
Seanca e parë gjyqësore e Slone është caktuar më 15 gusht.
Të dhënat online tregonin se Slone kishte arrestime të mëparshme në Florida vjedhje të vogla dhe shkelje të lirisë me kusht.
Top Channel