Hekurudha kombëtare gjermane, Deutsche Bahn, planifikon që të nisë shërbimet e trenave të mallrave për të transportuar eksportet e drithërave ukrainase në portet gjermane, që më pas dërgesat të mund të ngarkohen nëpër anije.
Drithërat do të sillen me trena në portet gjermane, përfshirë portet në Rostok, Hamburg dhe Brake, tha kompania e hekurudhave.
Detajet se sa do të jetë kapaciteti i eksporteve të drithërave nuk është bërë publik, por planifikohet që disa trena brenda javës të transportojnë drithin. Këta trena kryesisht do të marrin drithin ukrainas në Rumani.
Deutsche Bahn ka operuar trena nga Gjermania, të cilat kanë qenë të mbushura me ndihma për Ukrainën dhe planifikon që trenat e njëjtë tani të mbushen me drithëra në rrugën e tyre të kthimit.
Eksportet e drithërave të Ukrainës ishin 2.5 milionë tonë në qershor, krahasuar me 6 milionë tonë eksporte në muaj që shteti kishte para se Rusia të niste pushtimin më 24 shkurt.
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se mungesa e drithërave ukrainase, që kryesisht eksportohen në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, po kërcënojnë që të ketë uri dhe migrim në masë “në një shkallë të paprecedentë”.
Shumica e eksporteve të Ukrainës aktualisht po transportohet përmes kamionëve dhe anijeve përmes lumenjve për në shtetet fqinje, përfshirë Rumaninë dhe Poloninë. Më pas ato dërgohen në portet detare.
Ukraina ka nevojë urgjente që të eksportojë drithërat para se të nisin korrjet e reja gjatë verës dhe fermerët po përballen me mungesë të hapësirës për t’i ruajtur produktet e tyre.
Për shkak të bllokadës së eksporteve po zhvillohen bisedime që kanë për synim të krijojnë një korridor të sigurt në Detin e Zi, përmes së cilit do të mund të kalonin dërgesat e Ukrainës./Rel
Top Channel