Stuhi të forta shiu dhe përmbytje në Kaliforni, humbin jetën tre persona Pak pasi Banka Qendrore Europiane njoftoi rritjen për herë të parë në 11 vjet të normave të interesit me gjysmë pikë përqindjeje, presidentja e saj, Christine La Garde doli përpara gazetarëve për të dhënë disa shpjegime.
La Garde e pranoi se lufta në Ukrainë dhe rritja e rrufeshme e inflacionit, e kanë errësuar parashikimin ekonomik të eurozonës.
“Ne presim që inflacioni, edhe pse pa dëshirën tonë, të vazhdojë të mbetet i lartë për disa kohë, për shkak të presionit të vazhdueshëm nga kuotimi i energjisë dhe ushqimeve dhe presioni që tubacionet e gazit kanë mbi zinxhirin e çmimeve. Agresioni i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës po influencon rritjen ekonomike. Ndikimi i inflacionit të lartë në fuqinë blerëse, kufizimet e vazhdueshme të ofertës dhe pasiguria më e lartë kanë një efekt frenues në ekonomi”, tha Christine La Garde, presidente e BQE.
BQE tha në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes së këshillit të saj drejtues në Frankfurt se “gjykoi se ishte e përshtatshme të ndërmerrte një hap të parë më të madh në rrugën e normalizimit të normës së politikës, sesa sinjalizoi në mbledhjen e mëparshme” për shkak të inflacionit më të lartë se sa pritej dhe mbështetjes të skemës së re të blerjes së obligacioneve.
BQE mund të ndodhet nën presion, edhe sepse diferenca e normave të interesit ndaj SHBA po zgjerohet. Pasi inflacioni atje arriti në 9.1 përqind në qershor, Rezerva Federale e SHBA ka të ngjarë të rrisë normat e interesit me 75 pikë bazë nga 1.5 aktuale në 1.75 përqind.
Kjo vazhdon të ushtrojë presion mbi euron, që para disa ditësh kishte rënë në nivelin e dollarit amerikan.
Dhe së fundi tregjet financiare vështrojnë edhe nga Italia. Kriza qeveritare atje nuk e lehtëson situatën për BQE.
Zgjedhjet e reja atje mund të çojnë në “turbulenca të konsiderueshme” në tregjet e obligacioneve qeveritare në eurozonë, nëse qeverinë e re do ta udhëheqin eurokritikët, dyshon Edgar Walk, kryekonomist në Bankhaus Metzler.
BQE ka shpallur një të ashtuquajtur instrument kundër fragmentimit. Përmes kësaj ajo dëshiron të zbusë paraprakisht turbulencat e mundshme në tregjet e obligacioneve qeveritare evropiane.
Top Channel