Një avion i vogël sportiv u ul në aerodromin e Gjirokastrës i drejtuar nga piloti italian Antonio Guzzo për të celebruar licensimin e pistës për fluturime sportive.

Ka qenë një përpjekje gati 30 vjeçare e mbështetësve të kauzës së aeroportit, federatës së aeronautikës dhe instiucioneve vendore që mundësuan këtë projekt.

Rimarrja e statusit aerodrom fushor u parapri nga punime intensive nivelimi dhe përshtatjeje të pistës për avionët e vegjël. Ndërsa gjatë muajve të fundit Autoriteti i Aviacionit Civil kreu verifikime për sigurinë dhe standardet.

Aerodromi Fushor i Gjirokastrës sipas specifikimeve të certifikimit do të lejojë uljen e avionëve të vegjël me peshë deri në 5700 kg nga lindja deri në perëndim të diellit vetëm në kushte të përshtatshme atmosferike. Aerodromi është licensuar vetëm për fluturime kombëtare.

Hapi i radhës sipas ekspertëve dhe pilotëve do të ishte ndërtimi i një hangari për avionë të vegjël, një pike karburanti për furnizim si dhe disa shërbime përreth aerodromit.

Ngjarja besohet se do ti shërbejë turizmit elitar që këtë verë pasi prej vitesh Gjirokastra po merr kërkesa për uljen e avionëve sportivë.

Nga aerodromi i Gjirokastrës u regjistrua fluturimi i parë më 11 gusht të vitit 1929 në linjën Tiranë-Gjirokastër-Tiranë dhe për gati një dekadë në atë kohë,  edhe pas transformimit për të qenë aeroport kryheshin shërbime të transportit civil dhe postës madje rregullisht realizohej edhe me një fluturim ndërkombëtar drejt Brindisit. Pas vitit 1944, shërbimi civil në aeroportin e Jugut u ndërpre, por pista e tij vijoi të përdorej për fluturime ushtarake, qeveritare dhe humanitare.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA