“Rama shkoi në Bruksel si monist”/ Berisha: Po të më ftonte do shkoja, por s’do kishte shtrëngim duarsh

20/07/2022 20:12

Kryetari i Partisë Demokratike, gjatë një takimi ditën e sotme me demokratët e Durrësit, komentoi vizitën e Ramës në Bruksel, gjatë takimit për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

Berisha u shpreh se Rama shkoi në Bruksel si monist, por nëse do e kishte ftuar, kryedemokrati do të kishte shkuar me të, por nuk do të kishte pasur shtrëngime duarsh.

“Shkoi në Bruksel si monist, njëlloj sikur të shkonin paraardhësit e tij. Mos u çuditni. Do ju tregoj një gjë nga historia, por të vërtetë. Nga viti ’86, qeveria hungareze dhe qeveria rumune, zhvillojnë tratativa të fshehta me Brukselin për t’i pranuar në BE.

Brukseli u përgjigj, jo, tha, ju nuk mund të pranoheni sepse jeni në sferën e Bashkimit Sovjetik. I vetmi vend, e thanë në konfidencë, nga ish-komunistët që mund të pranohet është Shqipëria…por Shqipëria ishte armik me të gjithë botën. Nuk ka dyshim që ky shkoi si monist në Bruksel. Ndaj unë e kam shpallur atë armik të lirisë së shqiptarëve.

Natyrisht, po të ftonte do shkoja. Por ta harrojë se do të kishte shtrëngim duarsh me mua. Nuk mund të ndodhte kurrë ajo. Do të shkoja për të përfaqësuar ju, aspiratat demokratike të shqiptarëve. Pra, shkoi si monist, u kthye si monist. Natyrisht me dosjen në shpinë të inceneratorëve, me dosjen e Portit të Durrësit.”- tha Berisha .

Top Channel