Pushtimi i Ukrainës/ Lavrov: Jemi të gatshëm të zgjerojmë qëllimet e luftës

20/07/2022 16:26

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, ka deklaruar ditën e sotme se përqendrimi ushtarak i Rusisë nuk është vetëm në lindje të Ukrainës.

Gjatë një interviste ditën e sotme për një media shtetërore ruse, ai la të kuptohej se strategjia e Moskës kishte ndryshuar, pas momentit që Perëndimi e furnizoi me armë me rreze të gjatë Ukrainën.

Rusia tani do të duhet të shtyjë forcat ukrainase më tej nga vija e frontit për të garantuar sigurinë e saj, shpjegoi ai.

Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, duke pretenduar në mënyrë të rreme se rusishtfolësit në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës kishin pësuar një gjenocid dhe duhej të çliroheshin. Pesë muaj më vonë, Rusia ka pushtuar pjesë të lindjes dhe jugut të vendit, por ajo dështoi në qëllimin e saj fillestar për të kapur Kievin dhe që atëherë ka pretenduar se objektivi i saj kryesor ishte çlirimi i Donbasit.

Që nga shkurti, Perëndimi e ka furnizuar Ukrainën me armë gjithnjë e më të fuqishme për t’i përdorur në mbrojtjen e saj kundër forcave ruse.

Lavrov ka shprehur se kjo e ka detyruar Rusinë të zgjerojë më tej objektivat e saj.

“Ne nuk mund të lejojmë që pjesa e Ukrainës e kontrolluar nga [Presidenti ukrainas Volodymyr] Zelensky… të zotërojë armë që do të përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë për territorin tonë,” tha Lavrov.

Top Channel