Policia kap çiftin që vodhi verë në vlerën €1.6 milionë nga restoranti spanjoll (fotot)

20/07/2022 18:01

Dyshja e konsideruar ‘hajdutë ekspertë’ u kapën në kufirin Mali i Zi-Kroaci pas një operacioni nëntë mujor të policisë.

Detektivët njoftonin së fundmi kapjen e “vjedhësve ekspertë” të 45 shishesh vere në një vlerë prej më shumë se 1.6 milionë euro nga një restorant spanjoll, pas një operacioni nëntë mujor kërkimi që përfundoi në Kroaci.

Në tetor 2021, një burrë e një grua që po qëndronin në hotelin Atrio dhe restorantin Cáceres, në jugperëndim të Spanjës kishin vjedhur dhjetra shishe vere të vjetër franceze, duke përfshirë dhe një Château D’Yquem të vitit 1806, në grabitjen që bëri zhurmë në të gjithë mediat evropiane.

Në deklaratën e tyre zyrtarët e Policía Nacional thanë se grabitja “e planifikuar në çdo detaj” niste me gruan që përdorte një identitet të rremë zvicerjan për t’u regjistruar në hotel, teksa çifti darkonin në restorant dhe bënin vizitën tradicionale në qilarët e famshëm të verërave të Atrio.

“Më pas ata shkuan në dhomën e tyre, por burri doli shpejt prej saj për t’u rikthyer në qilar,” tha policia.

“Duke përdorur një çelës kryesor që kishte vjedhur më herët, ai doli nga qilari me tre thasë të mëdhenj, një të varur në kurriz dhe dy të tjerët në duar, ku kishte futur shishet e verës të mbrojtura me peshqirë të hotelit”.

Teksa burri bastiste qilarin, gruaja kishte tërhequr vëmendjen e stafit të kuzhinës duke i kërkuar të përgatisnin për të ngrënë megjithse kuzhina ishte mbyllur.

Çifti ishin larguar nga hoteli në 5.30 të mëngjesit tjetër.

“Pas hetimeve të shumta oficerët arritën të lokalizojnë dy të dyshuarit, duke llogaritur planifikimin e gjatë që ata kishin bërë për grabitjen,” thuhej në deklaratë.

Sipas policisë çifti ishte larguar nga Spanja disa ditë pas grabitjes dhe kishin lëvizur në disa vende të Evropës për të mos u gjurmuar nga autoritetet.

Ata rrjedhimisht u gjurmuan dhe u kapën sapo hynë në Kroaci, në një operacion të përbashkët ku mori pjesë Interpol e Europol.

José Polo, bashkëpronar e menaxher i Atrio, kishte ofruar të blente përsëri shishet e humbura të verës, veçanërisht d’Yquem të vitit 1806. “Më shumë se shishet e verës ata vodhën ëndrrat tona,” tha ai në fillim të vitit për revistën Decanter.

 

FOTO GALERI
1/3
José Polo, bashkëpronar e menaxher i Atrio, kishte ofruar të blente përsëri shishet e humbura të verës

Top Channel