Ndërprerje e plotë nga Rusia? BE gati plani: Reduktojmë përdorimin e gazit me 15%

20/07/2022 14:44

Komisioni Evropian u bëri thirrje vendeve anëtare të mërkurën që të reduktojnë përdorimin e tyre të gazit me 15% nga 1 gushti i këtij viti deri më 31 mars 2023, për t’u siguruar se mund të përballojnë situatën  në rast të një ndërprerjeje totale të gazit nga Rusia.

Masa  është pjesë e planit të shumëpritur ‘Save Gas’ për një Dimër të Sigurt të paraqitur në Bruksel për shqetësimet se BE-ja do të luftojë jo vetëm të mbushë kapacitetet e depozitimit të gazit përpara fillimit të dimrit, por edhe të sigurojë furnizime shtesë gjatë muajve më të ftohtë.

Qëllimi, tha Komisioni, është të mbrohet furnizimi për familjet dhe përdoruesit thelbësorë, si spitalet dhe industritë kryesore, me të gjithë aktorët ekonomikë, përfshirë qytetarët, gjithashtu të nxitur të mendojnë për masën e kosumit.

Shefja e Komisionit Ursula von der Leyen nënvizoi se megjithëse disa shtete anëtare janë më të ekspozuara ndaj gazit rus dhe për këtë arsye janë më të prekshme ndaj ndërprerjeve, të gjitha vendet anëtare “do të vuajnë” nëse blloku nuk vepron së bashku .

Legjislacioni i propozuar do t’i japë gjithashtu Komisionit fuqinë për të shpallur një ‘alarm të përbashkët ‘ për sigurinë e furnizimit dhe për të vendosur një reduktim të detyrueshëm të kërkesës për gaz për të gjitha vendet anëtare nëse nuk arrijnë të shkurtojnë mjaftueshëm vullnetarisht.

Ky alarm do të aktivizohej kur “ekziston një rrezik thelbësor i mungesës së rëndë të gazit ose një kërkesë jashtëzakonisht e lartë për gaz”, tha Komisioni në një deklaratë.

Von der Leyen shpjegoi se një reduktim prej 15% në konsumin e gazit barazohet me rreth 45 miliardë metra kub gaz dhe se do t’i mundësonte bllokut “ta kalojë në mënyrë të sigurtë dimrin” në rast të një ndërprerjeje të plotë nga Rusia.

Propozimi i Komisionit do të diskutohet nga ministrat e BE gjatë një samiti të jashtëzakonshëm të energjisë në 26 korrik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA