Në Gjirokastër është rikthyer eventi i radhës i “Open Cinema”. Ngjarja që vjen për të katërtin vit radhazi është çelur në pjesën e re të qytetit prej producentit dhe kineastit Skënder Jaçe.
Përgjatë tri netëve magjia e kinemasë është duke sjellë nostalgji, retrospektivë, imazhe të rralla të Gjirokastrës që prej vitit 1948 e deri tek filmat e fundit të kinemasë shqiptare.
Open Cinema po përcjell edhe një paketë filmash vizatimorë për fëmijë si dhe po shoqërohet nga emra të njohur të muzikës shqiptare ndër vite si Irma Libohova, Liljana Kondakçi e Kozma Dushi.
Eventi është duke përkujtuar edhe kontributet e regjisorëve e aktorëve që nuk jetojnë më.
Kinemaja ka një traditë gati shekullore në Gjirokastër, që prej vitit 1927. Qyteti u bë sheshxhirim për disa nga filmat më të rëndësishëm shqiptarë dhe të huaj.
Studiuesi dhe aktori Ilir Lluri thotë se edukimi përmes ekranit të kinemasë duhet të vijojë si në dimër edhe në verë si një mundësi që i jep dinamikë tjetër jetës kulturore.
Si pjesë e kinemasë shëtitëse deri tani janë shfaqur filma me subjekt dramat bashkëkohore si filmi “Rrugës” që çeli eventin por edhe komedi e aksion si filmat “Diell në shi” apo “Umbria”.
Top Channel