Për 2.5 sekonda, mund t’i shpëtohej jeta: Vdekja e kryeministrit Abe, faji i sigurimit!

19/07/2022 15:37

Agjencia e lajmeve Reuters i është rikthyer momentit tragjik kur ish kryeministri japonez Shinzo Abe u qëllua për vdekje me armë zjarri të premten e 8 korrikut.

Pasi analizuan me kujdes të gjithë ngjarjen, tetë ekspertë sigurie të cituar nga Reuters, kanë dalë në përfundimin se rojet e sigurisë së ish kreut të ekzekutivit japonez mund ta kishin shpëtuar atë nëse do ta mbronin apo do ta largonin nga vija e zjarrit në 2.5 sekonda nga gjuajtja e parë që doli bosh dhe raundi i dytë i të shtënave që e plagosën atë për vdekje.

Dështimi për të mbrojtur Abe nga gjuajtja e dytë konsiderohet prej tyre pasojë e një serie gabimesh të sigurisë. Atentatori u afrua rreth 7 metra nga Abe përpara se të shtinte për herë të parë. Ndërkohë, në të shtënën e dytë ishte afruar në gati 5 metra. Pamjet treguan qartë se truprojat e Abe nuk kishin një mbrojtje rrethore sigurie pranë tij, u shpreh  John Soltys, ish-oficer i Navy SEAL dhe CIA tani një zëvendës president në firmën e sigurisë Prosegur.

“Ata nuk kishin asnjë lloj mbikëqyrjeje në mes të turmës”, shtoi ai. Shinzo Abe u vra nga një person që përdori një armë të bërë vetë gjatë një fjalimi elektoral në qytetin e Naras. Ai  u transportua me helikopter për në spital por nuk u shpëtoi dot plagëve të marra, dhe pas disa orëve ndërroi jetë.

Top Channel