Kroacia e refuzon dy herë, Vuçiç: S`kam kohë për budallallëqe. Serbia bllokon kroatët

19/07/2022 13:42

Marrëdhëniet diplomatike mes Kroacisë dhe Serbisë u përkeqësuan befas Zagrebi ndaloi presidentin Aleksandar Vuçiç për një vizitë private në vendin një kampi famëkeq përqendrimi të Luftës së Dytë Botërore ku humbën jetën mijëra serbë.

Duke komentuar rastin e refuzimit nga autoritetet kroate për t’i lejuar atij ndalesën në kompleksin memorial kushtuar viktimave të krimeve të Luftës së Dytë Botërore, për shkak se nuk ishte njoftuar zyrtarisht, Vuçiç tha se kishte dërguar kërkesa për vizitë në shtator të vitit 2021 dhe në mars të këtij viti.

“Kemi marrë përgjigje se vizita nuk ishte e mirëpritur për momentin. Unë thashë që nuk më intereson të dëgjoj më ato budallallëqe, se nuk është koha e duhur, dhe se dua vetëm të vendos një lule dhe asgjë më shumë. Dhe pastaj ata krijuan këtë cirk”, u shpreh ai.

Presidenti i Serbisë tha se kishte ndërmend të shkonte në një vizitë private, “pa mbulim të veçantë mediatik” dhe se nuk do të jepte deklarata që do të nënkuptonin provokim.

“Është për të ardhur keq që në 81 vjet që nga themelimi i një prej kampeve më të tmerrshme naziste të vdekjes në Evropë, asnjë president serb nuk ka qenë në Jasenovaç. Unë kam qenë atje në dy raste, por jo si president. Qëllimi është të tregoj respekt për viktimat dhe asgjë më shumë se kaq”, ishte komenti i tij.

Autoritetet kroate njoftuan se vizita nuk ishte paralajmëruar dhe se mungonte procedura e detyrueshme që vlen për vizitat e zyrtarëve të lartë.

Beogradi u përgjigj duke e dënuar vendimin dhe duke bërë të ditur se do të zbatonte një regjim të veçantë kontrolli për të gjithë zyrtarët kroatë që duan të vizitojnë Serbinë.

Top Channel