Erdogan kërkon mbështetjen e Rusisë dhe Iranit për operacionet në Siri

19/07/2022 21:46

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u ka thënë të martën liderëve të Rusisë dhe Iranit, Vladimir Putin dhe Ayatollah Ali Khamenei, se pret mbështetjen e tyre të plotë teksa Ankaraja lufton “terroristët” në Siri.

Komentet e Erdoganit në një samit në Teheran kanë ardhur pas disa javëve të paralajmërimeve se Turqia mund të nisë shpejt një sulm të ri ushtarak në rajonet veriore të vendit të shkatërruar nga lufta.

Moska dhe Teherani kanë mbështetur Qeverinë e Damaskut në konfliktin sirian, derisa Ankaraja ka mbështetur rebelët sirianë.

Si Rusia, ashtu edhe Irani, kanë prezencë ushtarake në disa pjesë të Sirisë, të cilat janë përmendur si shënjestra të mundshme në sulmet e reja të Turqisë.

Erdogan akuzon militantët kurdë për përdorim të rajonit kufitar si stacion për kryengritje me dekada kundër shtetit turk.

“Çfarë presim ne nga Rusia dhe Irani, është mbështetja e tyre për Turqinë në luftën e saj kundër terrorizimit”, ka thënë Erdogan në disa deklarime televizive.

Erdogan ka përmendur se Turqia ka nënshkruar një marrëveshje me Moskën dhe Uashingtonin më 2019, e cila parasheh që të dyja vendet do të ndihmojnë në largimin e militantëve kurdë, 30 kilometra larg kufirit Siri-Turqi.

“Kjo gjë ende nuk ka ndodhur”, ka thënë Erdogan.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka thënë Erdoganit se ofensiva turke do të ishte e “dëmshme” për rajonin.

Uashingtoni dhe Moska po ashtu i kanë bërë thirrje Turqisë të tregojë përmbajtje.

Në fushatat e kaluara, Turqia ka shënjestruar rajonet e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

PKK është shpallur organizatë terroriste nga Ankaraja, Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian.

Megjithatë, dega siriane e PKK-së ka luajtur rol kyç në fushatën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik në Siri.

“Duhet të kuptohet qartë se nuk ka vend për organizatatat terroriste në të ardhmen e rajonit tonë”, ka thënë Erdogan.

“Ne do të vazhdojmë luftën kundër organizatave terroriste në të ardhmen”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA