E dyta, e vërteta për Jennifer Lopez dhe Ben Affleck: Pasi iu afruan martesës në 2002-shin por nuk e kurorëzuan dot në altar dashurinë e tyre, këtë radhë artisja e njohur dhe aktori hollivudian shkëmbyen betimet për dashuri të përjetshme, duke i befasuar të gjithë me dasmën e tyre.

Ylli i popit nuk u kurseu me fotot e publikuara në rrjetet sociale nga dasma luksoze. “Ia dolëm. Dashuria është e bukur. Dashuria është e mirë. E rezulton se dashuria është edhe e durueshme. Njëzet vjet durim”, ka shkruar ajo ndërsa më tej shpjegon sesi morën avionin gjatë natës për në Las Vegas ku procedura është më e thjeshtë e pa vonesa. Për dëshmitarë, kishin fëmijët e tyre.

E martuar tre herë më parë, JLo e cilësoi këtë të fundit si “dasmën e saj të ëndrrave”. Një martesë të cilën e kishte dëshiruar shumë kohë më parë, dhe kaq shumë e ka pritur, sa ka vendosur menjëherë të ndryshojë edhe mbiemrin, duke firmosur dokumentet si zonja Jennifer Lynn Affleck. 52-vjeçarja përdori dy fustane të bardha për ditën e saj të madhe; i dyti ishte krijuar nga stilisti Zuhair Murad. Bashkëshorti i saj 49-vjeçar, kostumin e mori nga dollapi i tij personal.

Edhe pse siç thoshin kishte shumë ndjenjë mes tyre, çifti u nda dy dekada më parë për shkak se marrëdhënia nuk i rezistoi dot vëmendjes së madhe medietike, që u bë mbytëse për ta.

Top Channel