Çmimet e larta rritën tregtinë, në qershor 32.2 për qind më shumë. Rritja është vetëm në vlerë mallrash

18/07/2022 19:41

Tregtia e jashtme ka vijuar të rritet në qershor. Në krahasim me një vit më parë eksportet arritën vlerën 46 mld lekë duke u rritur me 32,2 %, ndërsa importet arritën vlerën 81 mld lekë duke u rritur me 20.8%.

Mallrat që janë dërguar më shumë jashtë në qershor ishin materialet e ndërtimit dhe metalet, produktet kimike dhe plastike dhe tekstilet në vendin e tretë.

Ndërkohë mallrat që janë blerë kryesohen nga lëndët djegëse, energjia elektrike, ushqimet dhe makineritë.

Për ekspertët shifrat janë të fryra nga rritja e përgjithshme e çmimeve

 “Vlerat e importeve dhe eksporteve duken shumë më të gjera, problemi është që këto janë rrritje vlerash dhe jo rritje volumesh. Po të shikojmë diferencën import-eksport rritja e çmimeve e ka zgjeruar hendekun është lajm i keq për ekonominë shqiptare pasi deficiti rritet edhe më shumë. Pra rriten paratë që qytetarët duhet të nxjerin nga xhepi për të njëjtat mallra dhe shërbime, ndërkohë që paratë që ata marrin nga eksportet janë më të vogla në krahasim me importet.”- tha Mateo Spaho

Në qershor, sipas shifrave, zgjerimi i tregtisë së jashtme ka ardhur në rënie në krahasim me muajt e parë të vitit. Për ekspertët kjo është shenjë e qartë se konsumi në vend po bie.

 “Rritja e përgjithshme e çmimeve sjell më pak para në xhepat e qytetarëve pasi rrogat nuk janë rritur dhe për pasojë ka më pak para të disponueshme qoftë për pushime apo veshje dhe kjo gjë në një moment të dytë siç po ndodh do të japë efektet në një import dhe eksport më të ngadaltë.  Gjithashtu monedha jonë është e lidhur me euron, pasi dollari është forcuar në drejtim të të dyjave dhe në këto kushte tregtia ndërkombëtare do të jetë më pak e favorshme.”- tha Mateo Spaho.

Shqipëria gjatë gjashtëmujorit ka eksportuar 73% të mallrave drejt BE, ndërsa importoi 52% nga kontinenti. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia, Turqia, Greqia, dhe Gjermania, ndërsa vendi ka shkëputur varësinë energjetike nga Rusia dhe ka ndalur importin e drithërave nga Ukraina.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA