Janë nxjerrë tashmë trupat e pajetë të tetë anëtarëve të ekuipazhit të avionit ukrainas të mallrave janë nxjerrë nga vendi i ngjarjes, pasi avioni u rrëzua të shtunën mbrëma në Kavalla të Greqisë.
Ato janë ekzaminuar nga ekspertët në spitalin në Komotini e më pas, iu dorëzuan përfaqësuesve diplomatikë të Ukrainës në Athinë. Ekipet e kërkimit po vazhdojnë që të lokalizojnë municionin që është shpërndarë pranë vendit të rrëzimit të avionit. Avioni, që ishte nisur nga Nishi i Serbisë, kishte anëtarë të ekuipazhit ukrainas. Avioni i cili u tha se po transportonte armë serbe për në Bangladesh, u rrëzua në orët e vona të së shtunës.
Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, u shpreh se avioni ishte në pronësi të kompanisë “Meridian” nga Ukraina, po transportonte 11.5 tonë armë që ishin nisur nga Serbia për në Bangladesh. Stefanoviv konfirmoi se kompania ukrainase ishte pronarja e vetme e avionit dhe po dërgonte mina të prodhuara nga kompania serbe “Valir”.
Ai i hodhi poshtë pretendimet e disa mediave se armët janë nisur për në Ukrainë, duke thënë se ato janë “keqdashëse dhe të dëmshme për Serbinë”. Sipas raportimeve, piloti i avionit kishte informuar autoritetet se kishte problem në njërin prej motorëve të avionit dhe atij iu kërkua që të ateronte në aeroportin e Selanikut apo atë të Kavallës.
Pasi u nis në drejtim të Kavallës, avioni u rrëzua rreth 40 kilometra në perëndim të aeroportit, tha Autoriteti i Aviacionit Civil të Greqisë. Fakti që avioni u nis nga qendra humanitare serbo-ruse në Nish, ngjalli dyshime. “Avioni nga Ukraina u rrëzua në Kavalla të Greqisë pasi u ngrit nga Nishi i Serbisë.
Aty është Qendra ruse e spiunazhit! Kjo mund të jetë pista e parë e hetimeve, ndërkohë që ata do ta konfirmonin këtë!”, janë disa nga reagimet e përcjella nga mediat në Kosovë. “Avioni ukrainas Antonov AN-12 (UR-CIC) sapo u rrëzua në Greqi afër qytetit të Kavalës.
Ai u nis nga Nishi i Serbisë dhe po shkonte në Jordani. A qëndron pas këtij veprimi shërbimi sekret rus me bazë në qytetin e Nishit”, ishin komente të tjera. E themeluar në vitin 2012, qendra në Nish thuhet se ka për qëllim ndërhyrje në rast fatkeqësish dhe emergjencash natyrore, por ajo është përfshirë që në fillim nga polemika dhe akuza të shumta të lidhura me qëllimet e spiunazhit.
Top Channel