Drejtuesi i mjetit lundrues Gjergji Priftuli është arrestuar nga policia pasi humbi kontrollin dhe gomonia plagosi dy pushues një ditë më parë në Jal.

Dëshmitarët kanë thënë se 37-vjeçari po kryente manovra të rrezikshme disa qindra metra larg bregut dhe më pas ai u rrëzua në ujë. Në këto moment gomonia u nis me shpejtësi dhe përplasi çiftin e të rinjve në breg të detit.

Pamjet kur mjeti lundrues godet çiftin e  pushuesve shqiptarë 31 dhe 25 vjeç të cilët mbetën të lënduar u siguruan nga Top Channel. Ata u transportuan në Tiranë në spitalin e Traumës me helikopter, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Mësohet se djali ka pësuar dëmtime në brinjë dhe në fytyrë ndërsa vajza është lënduar në disa pjesë të trupit.

“Humbi kontrollin e mjetit lundrues dhe për pasojë dëmtoi dy pushues që ishin në breg të detit, vihet në pranga 37-vjeçari. Sekuestrohet mjeti lundrues tip gomone. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, në vijim të veprimeve hetimore, në lidhje me ngjarjen e ndodhur paraditen e djeshme, në plazhin Jalë, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasin Gj. P., 37 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi Gj. P., duke drejtuar mjetin lundrues tip gomone, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka dalë në breg të detit duke dëmtuar shtetasit A. S., 31 vjeç dhe E. Gj., 25 vjeçe, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e Traumës, nën kujdesin mjekësor”, sipas policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Ky është incidenti i parë i ndodhur gjatë këtij viti me mjetet lundruese. Për të shmangur këto situate policia e ka ndaluar përdorimin e mjeteve lundruese në plazhe dhe në vende të caktuara ku ato lejohen, në det është shënjestruar trajektorja të cilën mjetet ndjekin.

Vite më parë në shumë plazhe, në Velipojë, Durrës dhe Himarë ka pasur incidente me mjetet lundruese të cilat depërtonin deri në breg ku notonin pushuesit duke i plagosur ata.

Nga këto aksidente ka pasur dhe raste fatale siç ishte ai i vitit 2016 ku një pushues rus humbi jetën teksa notonte pasi u përplas nga një skaf.

Top Channel