Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, nënshkruan të dielën në Sofje protokollin që parasheh procedurat dhe dinamikën e kapërcimit të dallimeve mes tyre, që janë pjesë e propozimit francez.

“Kjo i hap rrugën presidencës Çeke”, tha komisioneri i BE-së për zgjerimin Oliver Varhely për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare  për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se në protokoll shihet se është bërë shumë dhe secili që është përfshirë ka investuar sa më shumë që të ketë projekte, memorandume dhe dokumente që forcojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Për ne është një mundësi historike që pas 17 vjetësh status kandidat, Maqedonia e Veriut merr mundësinë që nesër, pasnesër, të fillojë negociatat me BE-në, ne çka fillon fazën e fundit të anëtarësimit tonë në BE”,tha ai.

Edhe ministrja e Jashtme të Bullgarisë, Teodora Gençovska, tha se takimi ka qenë i dobishëm dhe është shënuar përparim në të gjithë sektorët.

Gençovska tha se Bullgaria është vendi që mbështet fuqishëm integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Nënshkrimi i protokollit vjen një ditë pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez, që i hap rrugë integrimit të Shkupit në BE.

Pas miratimit, zyrtarët e BE-së paralajmëruan se negociatat për anëtarësim në bllok për Shkupin dhe Tiranën do të hapen javën e ardhshme.

Top Channel