Princi saudit i thotë Biden se SHBA ka bërë ‘gabime’ në Irak e Afganistan, pas kritikave për vrasjen e Xhamal Khashoggi (fotot)

16/07/2022 16:08

Princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman i ka përmendur presidentit amerikan abuzimet e ushtrisë në burgun e Abu Ghraib në Irak dhe luftën në Afganistan, duke thënë se edhe SHBA ka bërë gabime, shkruan britanikja Daily Mail.

Agjencitë perëndimore thonin se komentet e princit ishin në kundërpërgjigje ndaj komenteve të Biden për vrasjen e gazetarit disident saudit Xhamal Khashoggi, në takimin e tyre të parë mbrëmjen e të premtes në Jeddah, Arabia Saudite.

Një raport i inteligjencës së SHBA bënte përgjegjës Princin e Kurorës për vrasjen e Khashoggi në 2018 brenda konsullatës saudite në Stamboll.

Një zyrtar saudit tha për agjencinë Reuters se princi i tha Biden se edhe SHBA ka bërë gabime, mes të cilave abuzimet e rënda të të drejtave të njeriut në burgun e Abu Ghraib në Irak.

Në fillim të luftës së Irakut, të ndaluarit në burgun e Abu Ghraib janë torturuar rregullisht nga forcat amerikane dhe 11 oficerë të SHBA janë dënuar për krimet e ekspozuara nga skandali.

Princi saudit foli gjithashtu me Biden për vlerat e përbashkëta por shtoi se imponimi i këtyre vlerave ndaj vendeve të tjera mund të kthehet në ‘bumerang’.

“Përpjekja për të imponuar këto vlera me forcë mund të japë nje efekt te kundërt, siç ndodhi në Irak e Afganistan, ku SHBA nuk arriti sukses”, thuhej në deklaratën saudite për agjencinë  Reuters.

Biden ka drejtuar tërheqjen kaotike të ushtrisë së SHBA nga Afganistani, pas një përfshirjeje ushtarake 20 vjeçare, që prej sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Militanët Talibanë morën shpejt kontrollin e vendit pas largimit të SHBA.

Biden u tha gazetarëve se në takimin e parë kishte përmendur çështjen Khashoggi.

“Vrasjen e Khashoggi e ngrita që në fillim të takimit, për të bërë të qartë se e mendoj njësoj si atëherë. Ajo që i ndodhi Khashoggi ishte e tmerrshme”, tha Biden.

Biden nuk përmendi çështjet e ngritura nga princi për Irakun e Afganistanin por pranoi se SHBA nuk i ka të gjitha të dhënat e pastra.

“Askush nuk i bën të gjitha gjërat siç duhet, përfshi edhe SHBA”, tha Biden, por shtoi se vendi i tij nuk ka ekzekutuar disidentë.

FOTO GALERI
1/3
Djathtas gazetari i vrare saudit, abuzimet ne burgun Abu Graib (djathtas)

Top Channel