“Bordi nuk bën transparencë”/ Çmimi i naftës, PD kërkon që anëtarët e bordit të tërhiqen

16/07/2022 15:21

Demokratët e cilësuan tallje me qytetarët, uljen e çmimit të naftës me 2 lek nga Bordi i Transparencës. 

Aldo Bumçi i kërkoi anëtarëve të kësaj strukture të tërhiqen pasi po bëhen bashkëpunëtor në krim me qeverinë.

“Bordi i Transparencës e ka ulur çmimin e naftës në vend nga 240 në 238 lekë për litër.  Dylekëshi i bordmenëve të qeverisë dhe oligarkisë nuk është ulje, por një shuplakë për konsumatorin shqiptar. Në bursën ndërkombëtare nafta ka shkuar në 95 dollarë për fuçi. Standardi i përdorur nga grosistët, i lejuar dhe bekuar nga qeveria, është tregues i talljes dhe babëzisë me qytetarin. Çdo ditë që kalon e bën Bordin e transparencës bashkëpunëtor në vjedhje dhe në varfërimin e shqiptarëve”.

Mosreflektimi i uljes së naftës në bursa në tabelat e çmimeve të karburanteve në vend, për opozitarët tregon se  Bordi Transparëncës po përdoret nga Edi Rama për të të justifikuar abuzimet me çmimet e larta të hidrokarburve.

Bordi nuk bën transparencë, por shërben si gjethe fiku.  Nuk i mbron qytetarët, por sajdis qeverinë dhe oborrin e biznesit kryeministror. Me naftën, ushqimet, pasigurinë e jetës dhe humbjen e shpresës, Shqipëria është një vend në rrezik.  Nuk duhet të largohen shqiptarët nga vendi, por rreziku”, tha Bumçi.

 

 

 

Prej ditës së parë opozita ka  kundërshtuar ngritjen e bordeve te transparences duke i  kahasuar me instrumente  te  regjimit komunist.

 

Top Channel