Ushtaraku gjerman shpallet fajtor për plane sulmi terrorist, teksa hiqej si refugjat sirian (fotot)

15/07/2022 17:12

Franco Albrecht komplotonte kundër politikanëve gjermanë të cilët i fajësonte për “disintegrimin e shoqërisë gjermane”.

Ushtaraku gjerman me tendenca të së djathtës ekstreme u shpall sot fajtor për planifikimin e sulmeve ndaj politikanëve teksa hiqej si refugjat nga Siria.

Gjykata rajonale e Frankfurt dënoi sot 33 vjeçarin Franco Albrecht, me pesë vjet e gjysmë burg për “akte të rënda e të dhunshme subversioni”, shkelje të ligjit për armët dhe eksplozivët dhe dy akuza mashtrimi.

Leitnanti i brigadës franko-gjermane kishte më parë akuza për bindje “ekstremiste, etniciste-nacionaliste” dhe ishte ankuar për “disintegrim” të qëllimshëm të kombit gjerman nga politikanët, duke iu referuar fushatës së pranimit të refugjatëve të huaj prej vitit 2015.

Albrecht ishte arrestuar në vitin 2017 pasi ishte kapur duke marrë një pistoletë të mbushur në një depozitë në aeroportin e Vienës.

Ai ishte diplomuar nga akademia prestigjoze ushtrake Saint-Cyr por kishte arritur të regjistrohej dhe si refugjat sirian në vend me identitetin e rremë David Benjamin, dhe kishte fituar status refugjati në qytetin bavarez të Erding.

Albrecht ka thënë më herët se e kishte bërë “për të treguar sesa i dobët dhe me tendencë është sistemi vendas i emigracionit për të pranuar refugjatët”, por autoritetet thonë se ai ka planifikuar sulme terroriste mbi figurat politike.

Emri i politikanes se “Gjelber” gjermane Claudia Roth, aktualisht ministre e kulturës, u gjet i shkruar në ditarin e Albrecht, ashtu si dhe emri dhe adresa e aktivistes së njohur gjermane anti-racizëm Anetta Kahane.

Mes zotërimeve të tij u gjet një kopje e librit të Adolf Hitler, Mein Kampf, ku ai përshkruante emigracionin si një formë “genocidi për popullin pritës”.

Gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, policia gjermane gjeti 21 celularë, 50 karta të parapaguara celulari, pesë hanxharë dhe një certifikatë të falsifikuar vaksinimi.

Tre armë zjarri të blera nga subjekti nuk janë gjetur.

I akuzuari është bir i një nëne gjermane dhe burri emigrant italian, të cilët nuk janë më bashkë.

Ai ka shprehur shpesh pikëpamjet e tij radikale duke deklaruar se emigracioni në Gjermani është ‘një formë genocidi’.

Ushtaraku tentonte më tej të ekspozonte sistemin e emigracionit në vend si një rrezik sigurie, duke u hequr si refugjat e aplikuar për azil në vendin e tij.

Dhe në fakt duke u hequr si një shitës frutash kristian nga Damasku, ai ishte regjistruar nga autoritetet me emrin ‘David Benjamin’, megjithse nuk mund të fliste fare arabisht.

Ai përfitoi një vend në një strehë refugjatësh dhe asistencë mujore prej 409 euro, para se të kthehej në kazermat e tij në Illkirch pranë kufirit francez.

Identiteti i tij i dyfishtë u zbulua në 2017, kur dhe u arrestua teksa tentonte të merrte një pistoletë të epokës naziste, që kishte fshehur në aeroportin e Vienës.

FOTO GALERI
2/3
Ai ishte diplomuar nga akademia prestigjoze ushtrake Saint-Cyr

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA