Gjykata e Posaçme ka shuar masën e arrestit në shtëpi, ndaj ish-zv ministres së Brendshme Rovena Voda. Kjo e fundit iu drejtua me kërkesë GJKKO-së, për shuarje mase, pasi i ka përfunduar dënimi.
Gazetarja Anila Hoxha tha për Top Channel se pas shqyrtimit, gjykata, pranoi kërkesën e Vodës duke shuar masën e sigurisë ndaj saj. Ish ministria në prill të këtij viti u dënua nga gjykata e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me 10 muaj burg.
Ish-zyrtarja e lartë u shpall fajtore për “ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Voda u shpall fajtore për shkak se kishte pranuar vlera monetare për të ndikuar në punësimin e Beut në ministri.
Referuar hetimit të Prokurorisë së Posaçme, mes Vodës, Florinda Beut dhe Majlinda Hasanit janë realizuar tre takime në shkurt- mars 2020 në Ministrinë e Brendshme dhe në Durrës. Ato janë përgjuar teksa flisnin për dhënien e nja zarfi me 1 mijë euro Vodës dhe janë filmuar në një bar në Durrës, teksa i japin zv.ministres një aparat celular.
Lidhur me episodin e tretë, SPAK thotë se Voda ka shkuar në port me automjetin e Ministrisë së Brendshme që mbante si zyrtare e lartë dhe shoferin e saj për të marrë një arkë me peshk.
Top Channel