20 kallëpe tritol dhe 2 kapsolla detonatorë janë sekuestruar nga komisariati I Vorës në zonën e Urës së Gjolës në kufij më Fushë Krujën, të cilat po transportoheshin nga një 51 vjeçar nga Laçi.
Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative policia ushtroi kontroll në mjetin me të cilin po udhëtonte 51 vjeçari Ndue Malqi dhe në çantën e shpinës I gjeti eksplozivin dhe arrestoi në flagrancë autorin.
51 vjeçari Ndue Malqi ka thënë para uniformave blu se 20 kallëpet e eksplozivit I ka gjetur në një magazinë ushtrie në vitin 1997. Gjatë të enjtes ai po udhëtonte në drejtim të Krujës për t’i shitur në gurore. Por ky version është I pabesueshëm për policinë e cila dyshon se 51 vjeçari është kontaktuar.
I arrestuari ka ndryshuar dëshminë kur është ripyetur në polici duke pretenduar se po udhëtonte nga Laçi me qëllim dorëzimin e eksplozivit në polici. Ai do të përballet me drejtësinë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe rrezikon deri në 7 vite burg.
Ky është rasti i 4 brenda pak javëve që policia e Tiranës identifikon sasi municioni dhe armatimi.
Gjatë të enjtes policia e Tiranës arrestoi 2 të rinj 22 dhe 25 vjeç pasi në dy banesa të marra me qira u gjetën 7 pistoleta dhe 4 silenciatore.
Më 21 qershor në zonën e Liqenit të Thatë në një banesë dhe një magazinë të marrë me qira nga 27 vjeçari Eno Papa (Beqiri) policia sekuestroi 2 snajperë, 4 kallashnikov, 2 armë automatike, 4 pistoleta me silenciator, tre kallëpe tritoli, sasi lënde e dyshuar eksplozive.
Ndërkohë më 15 qershor në Kodër Mëzez policia zbuloi një punishte për modifikimin e armëve të zjarrit ku dyshohet se punonin Ervis Bakalli dhe Dorian Kola. Në këtë punishte policia sekuestroi 8 pistoleta dhe 3 kallashnikovë.
Top Channel