Irani prezanton divizionin e dronëve detarë gjatë vizitës së Biden në Lindjen e Mesme (fotot)

15/07/2022 19:05

Mediat shtetërore të Iranit publikonin sot pamje të divizioneve detare të luftanijeve dhe nëndetëseve të afta për të lëshuar dronë luftarakë, teksa Joe Biden bën turne vizitash në Lindjen e Mesme.

SHBA dhe Izraeli, armiqtë kryesorë të Iranit, kanë akuzuar më parë Republikën Islamike se po përdor dronët e raketat për të sulmuar forcat detare të SHBA në Gjirin Persik.

“Divizioni i parë i dronëve detarë të marinës së Iranit përbëhet nga pajisje të ndryshme luftimi, zbulimi e shkatërrimi”, thuhej në televizionin shtetëror.

“Të gjithë tipat e dronëve të avancuar prodhohen nga ushtria e Iranit dhe kanë fluturuar në oqeanin Indian për demonstrimin e kapaciteteve të tyre”, thuhej në raportim.

Në pamje tregoheshin dronë që ngriheshin nga mjetet detare në lundrim.

Njoftimi vjen teksa Biden bën vizitën e tij të parë presidenciale në Izrael dhe në Arabinë Saudite.

Në tetor 2021, SHBA vendosi sanksione ndaj programit iranian të dronave, duke e akuzuar se po shpërndante teknologjinë në rajon për grupe si Hezbollah në Liban, rebelët Huthi në Jemen dhe lëvizja palestineze Hamas në Rripin e Gazës.

FOTO GALERI
1/12
Njesia iraniane e droneve detare

Top Channel